Një tjetër balonë “spiune”kineze shfaqet në qiell, këtë herë mbi Amerikën Latine

Një balonë spiune kineze është parë në Amerikën Latine, njoftoi të premten Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, një ditë pasi një balonë e tillë u pikas në hapësirën ajrore të SHBA-së.

“Kemi raporte për një balonë që fluturon mbi Amerikën Latine. Ne besojmë se ky është një tjetër balonë spiune kineze”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, pa dhënë një vendndodhje specifike.

Ministria e Jashtme e Kinës e quajti aksident hyrjen e një balone në hapësirën ajrore të SHBA-së. Në të njëjtën kohë, Pekini akuzoi politikanët dhe mediat në Shtetet e Bashkuara se kanë përfituar nga incidenti për ta diskredituar.

“Kina ka respektuar gjithmonë ligjin ndërkombëtar, sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve”, tha Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë.

Më herët gjatë ditës së djeshme, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, foli në telefon me homologun e tij kinez Wang Yi për ta informuar për shtyrjen e vizitës së tij në Kinë, duke përmendur veprime të papërgjegjshme dhe shkelje të qartë të sovranitetit të Shteteve të Bashkuara.

Pekini shprehu keqardhjen e tij për këtë hyrje të paqëllimshme të balonës në hapësirën ajrore të SHBA-së, duke pretenduar se ajo shërben për qëllime kërkimore, kryesisht meteorologjike. /albeu.com


Shtuar 4.02.2023 07:14