Vjen momenti, Berisha thërret protestë më 7 korrik kundër rritjes së çmimeve

E ka paralajmëruar disa herë në mbledhjet dhe konferencat e tij, se vendi është i etur për protesta, tanimë ish-kryeministri Sali Berisha tanimë ka vendosur datën për protestën e parë dhe ajo është 7 korriku.

Protesta do të organizohet kundër situatës së rritjeve të çmimeve, sidomos ato të karburanteve, por edhe të shportës.

Lideri historik i PD-së ka mbledhur në selinë blu kryetarët e degëve me të cilët ka diskutuar për situatën. Por gjatë diskutimit, Berisha është përballur me kërkesën në masë të kryetarëve të degëve për të dalë në protestë kundër krizës së çmimeve. Pas këtyre kërkesave, Berisha ka zgjedhur datën 7 korrik si optimale, në mënyrë që degët të përgatiten për të mobilizuar njerëzit të cilët duan të kundërshtojnë rritjen e çmimeve dhe sjelljen e qeverisë përballë faktorëve globalë, që kanë ndikuar krizën e çmimeve.

Ish-Kryeministri më herët ka denoncuar Bordet e Transparencës të ngritur nga qeveria për të caktuar çmimet e produkteve bazë dhe të karburanteve. “Rritje alarmante e çmimeve të ushqimeve dhe transportit. Në prill çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve bazë u rriten nga 10-22 për qind në Shqipëri!

Bordet apo shushunjat e qeverisë kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në rritjen e çmimeve dhe përgjigjen e saj. Më të ekspozuarat përballë rritjes së çmimeve janë shtresat e varfra, të cilat shpenzojnë më shumë se 50% të buxhetit të tyre në këto produkte dhe shërbime.

Qeveria në vend që të indeksojë dhe kompensojë çdo qindarkë për rritjen e çmimeve, ka vendosur bordet si mburojë të vetes dhe oligarkëve, të cilat, të blera nga oligarkët, vetëm përligjin rritjen e papërmbajtur të çmimeve”, është shprehur Berisha për bordet.