Veliaj dhe Ruseti shpërndajnë dhurata për fëmijët e qendrës sociale në Shkozë (FOTO LAJM)

Festat e fundvitit erdhën me shumë dhurata për fëmijët e qendrës sociale në Shkozë. Bashkia e Tiranës shpërndau sot dhurata për fëmijët e familjeve në nevojë, që edhe ata të festojnë si bashkëmoshatarët e tyre. Kryebashkiaku Erion Veliaj i uroi fëmijët për një vit sa më të mbarë dhe falenderoi donatorët që mundësuan dhuratat për ta.

Ai kërkoi nga fëmijët e qendrës që, ndërsa bashkia dhe shoqëria kujdeset që ata të rriten me kushte sa më të mira, në këmbim ata duhet të mësojnë më shumë, që nesër të bëhen qytetarë të denjë të Tiranës.

“Ëndrra ime më e madhe është të kem si dhuratë nga ju, që në vitin 2019 të dilni të gjithë të shkëlqyer në mësime. Nëse secili prej jush lufton fort, respekton shokun, respekton familjen e tij, mban pastër qytetin, thotë “Të lutem; Faleminderit”, atëherë e gjithë Tirana është më e mirë. Nëse fillojmë që sot siç e kemi nisur këtu, që nuk dalim më në rrugë të lypim, nuk shkojmë të mbledhim plehra, nuk humbasim orët e mësimit, por të gjithë siç e kemi nisur mbarë, fokusohemi që të mësojmë fort, ta duam familjen dhe njëri-tjetrin, atëherë Tirana do të jetë qyteti më i mirë në Europë”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se në qendrën sociale të Shkozës ka fëmijë nga cepa të ndryshëm të Tiranës, e megjithatë të gjithë jetojnë së bashku. “Gjithmonë kam thënë: Po, Tirana do të zhvillohet, por ama askush nuk do ngelet pas dhe fakti që këtu është krijuar një komunitet fantastik e nuk ka rëndësi se çfarë jemi ne, romë apo egjiptianë, komunitete të tjera, ne jetojmë të gjithë bashkë. Kemi krijuar një hapësirë ku respektojmë njëri-tjetrin, e mbajmë pastër, ku jetohet me më shumë dinjitet, në shtëpi më të mira dhe jo në kasolle te Bregu i Lumit, kemi arritur këtë histori suksesi”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen e tij edhe për kontributin që japin çdo ditë qendrat socialeTiranës, ndërsa theksoi se ata do të jenë në shërbim të njerëzve në nevojë edhe në këto ditë festash, në mënyrë që askujt të mos u mungojë një vakt i ngrohtë.

“Djemtë dhe vajzat që punojnë me shumë përkushtim në qendrat sociale, po bëjnë maksimumin këtë vit duke qenë prezent jo vetëm në të gjitha qendrat sociale, por sigurohemi që është asnjë vakt i rëndësishëm të mos mbetet pa u shërbyer në qendrat tona. Duam të vazhdojmë siç kemi nisur këtë vit, kemi ndërtuar disa qendra model të shërbimit, dhe duke hequr fëmijët nga rruga, duke i sjellë në qendra, ku edhe mësojnë, edhe argëtohen, edhe fitojnë karakter, duam të vazhdojmë gjatë gjithë vitit të 2019”, theksoi Veliaj.
Shtuar më 27/12/2018, ora 12:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori