Kroacia dhe Hungaria njohën pavarësinë e Kosovës
Albeu.com
Qeveria kroate e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pas takimit të mbajtur dje në Zagreb. Te njejten gje e ka bere edhe Qeveria Hungareze.Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke shprehur bindjen për krijimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në frymë miqësie, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë.Edhe Hungaria e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në të cilën, vendimin e Qeverisë kroate për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ai e cilëson si themel për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve, në frymë miqësie, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë.

"Në rrugën drejt Evropës, Republika e Kroacisë shtrin dorën e miqësisë të gjitha vendeve të rajonit, e gatshme që me to të ndajë përvojat e saj", ka thënë presidenti kroat, duke i uruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj "përparim sa më të shpejtë në paqe, siguri dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët".

Pas vendimit të sotëm të Zagrebit, zëvendëskryeministri i Kroacisë, Slobodan Uzelac, që përfaqëson pakicën serbe në Qeverinë kroate, ka ofruar dorëheqjen e tij në shenjë proteste për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zagrebi zyrtar.

Pavarësinë e ka njohur sot edhe Qeveria hungareze. Vendimin e ka bërë të ditur sekretarja hungareze e shtetit për marrëdhënie me jashtë, Marta Fekszi.

"Hungaria e ka njohur Kosovën e pavarur dhe qeveria ka kërkuar nga ministria e jashtme të përgatisë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që presidenti të mund të vendosë marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri të pavarur", u ka thënë Fekszi gazetarëve në Budapest.

Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të garantojë sigurinë e 350.000 hungarezëve etnikë që jetojnë në Vojvodinë, krahinën autonome në veri të Serbisë, të cilët kanë thënë se mund të jenë në shënjestër të nacionalistëve serbë, nëse Budapesti njeh Kosovën.

Të mërkurën, Hungaria, Kroacia dhe Bullgaria – të trija vende fqinje me Serbinë – kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se do ta njohin pavarësinë e Kosovës. (rtk)
Shtuar më 20/03/2008, ora 15:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori