Kërkoi rikthimin e mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Roshi dhe avokati nuk paraqiten
Gjykata Kushtetuese ditën e sotme ka nisur seancën për kërkesën e Elvis Roshit i cili ka ankimuar vendimin e KQZ për heqjen e mandatit të cilin e cilëson antikushtetues.

Kryebashkiaku i Kavajës pa mandat Elvis Roshi kërkon që të shfuqizohet vendimi i KQZ-së dhe Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.

Por çuditërisht në seancën e sotme nuk janë paraqitur as Rroshi, dhe as avokati i tij, i cili ka paraqitur raport se është sëmurë.
Pas kësaj, trupi gjykues ka shqyrtuar kërkesën për shtyrjen e seancës.

Ka qenë avokati i Elvis Rroshit, Theodhori Sollaku, i cili ka depozituar në Kushtetuese ankimimin për vendimin e shkarkimit.

“Kërkesa ka të bëjë me vendimarrjen e institucioneve që detyruan Këshillin e Ministrave për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë, kryesisht nga procedurat e KQZ u spikat momenti që detyrimi i KQZ ka qenë të administronte vendimet e formës së prerë zyrtarisht, dosje, gjë që nuk e ka bërë.

Në të kundërt mbrojtja dhe vetë kryetari i Bashkisë ka depozituar aktet zyrtare të autoriteteve të huaja që ai është i padënuar penalisht.

Së dyti kemi kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave, një vendim që bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe veçanërisht me Kushtetutën shqiptare.Kemi argumentuar se sanksionet që parashikon ligji për dekriminalizimin janë natyrisht penale dhe si të tilla nuk mund të kenë kurrsesi fuqi prapavepruese”, – argumentoi Sollaku në një prononcim për mediat.

Rroshi është një nga zgjedhurit e parë u “kap” nga ligji për dekriminalizimin, i miratuar dhjetorin e vitit të shkuar me shumicë votash nga mazhoranca dhe opozita.

Rroshit iu hoq mandati nga KQZ-ja me kërkesë të Prokurorisë, sipas të cilës, ai kishte fshehur një dënim për përdhunim në Itali në fillim të viteve ’90.

Për vendimin e KQZ reagoi edhe ambasada amerikane në Tiranë, sipas të cilët ky rast është paralajmërim për të gjithë ata të inkriminuar që mendojnë të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 18 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 29 dhjetor vendosi heqjen e mandatit për dy deputetet Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe kryebashkiakun Elvis Rroshi, pas kishin fshehur të dhënat në formularin e dekriminalizimit, shkruan BW.

Tashmë pas shpalljes së pavlefshme të mandatit të tij, Kavaja pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, data e të cilave do të miratohet me dekret nga presidenti Bujar Nishani, i cili ka 30 ditë kohë nga momenti i njoftimit zyrtar./albeu.com/


Shtuar më 28/02/2017, ora 10:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori