Kriza nga COVID-19, si i rezistoi kursi i këmbimit
Ersuin Shehu

Shpërthimi i krizës së lidhur me COVID-19 në muajin mars të vitit të kaluar krijoi shqetësim për efektet në kursin e këmbimit valutor. Në javët e para të prekjes nga pandemia, Euro shënoi rritje të shpejtë, duke u forcuar me rreth 7% në më pak se dy javë dhe duke arritur nivelin më të lartë vjetor prej 131.06 lekësh. Por, ndërhyrja e shpejtë e Bankës së Shqipërisë e stabilizoi kursin brenda pak ditësh. Kjo ndërhyrje rezultoi e mjaftueshme për t’i dhënë kursit qëndrueshmëri që do të zgjaste gjatë gjithë pjesës së mbetur të vitit 2020">2020.

Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha vendase shënoi nënçmim të lehtë në kursin e këmbimit me Euron në vitin 2020">2020. Kursi mesatar i këmbimit të euros ishte rreth 123.76 lekë, nga 123 lekë në vitin 2019. Kursi mesatar mujor shënoi nivelin më të lartë në prill, me 125.4 lekë dhe nivelin më të ulët në muajt janar dhe shkurt, me 122.1 lekë. Pas krizës, në përgjithësi, kursi i këmbimit rezultoi i qëndrueshëm afër vlerës së 124 lekëve, me përjashtim të muajve nëntor dhe dhjetor, kur u vërejt një tendencë e lehtë në rënie.

Më datë 24 dhjetor, Euro zbriti në 122.92 lekë, niveli më i ulët i shënuar që nga marsi, kur edhe kursi i këmbimit ndjeu efektet e panikut që shkaktoi në ekonominë shqiptare pandemia e COVID-19. Sidoqoftë, forcimi i Lekut gjatë periudhave të lidhura me turizmin dhe pushimet, si sezoni veror dhe fundi i vitit kalendarik, është një tendencë me përsëritje sezonale, e lidhur me flukse më të mëdha hyrëse të valutës në vend, krahasuar me periudhat e tjera të vitit.





Leku forcohet edhe me Dollarin

Në vitin 2020">2020, Leku shfaqi një performancë edhe më të mirë në kursin e këmbimit ndaj Dollarit Amerikan, në mbiçmim krahasuar me vitin 2019. Kursi mesatar i këmbimit të Dollarit Amerikan për vitin e kaluar ishte 108.65 lekë, nga 109.84 lekë në vitin 2019.

Në gjysmën e dytë të vitit 2020">2020, Dollari nisi një cikël rënieje me shumicën e valutave kryesore, e cila u reflektua edhe në kursin e këmbimit me Lekun. Zhvlerësimi i dollarit ndaj Lekut arriti kulmin në dhjetor, kur monedha e gjelbër u këmbye mesatarisht me 101.6 lekë, niveli më i ulët që prej prillit të vitit 2014. Në terma të kursit ditor, Dollari preku vlerën më të ulët të vitit më datë 29 dhjetor, në nivelin e 100.66 lekëve.

Ndryshe nga kursi i Euros, ai i Dollarit është më pak i ndikuar nga koniunktura e brendshme e tregut dhe reflekton kryesisht ecurinë e monedhës së gjelbër në tregjet financiare ndërkombëtare. Zhvlerësimi ndaj Lekut reflekton një tendencë të ngjashme në kursin e Dollarit me Euron dhe me monedhat e tjera kryesore. Kjo ndodh sepse volumet e këmbimit të Dollarit janë të vogla për të përcaktuar një kurs që mbështetet në mënyrë të mirëfilltë te kërkesa dhe oferta e brendshme. Për këtë arsye, si referencë e kursit të Lekut kundrejt Dollarit dhe monedhave të tjera merret kursi i këmbimit të tyre me Euron.

“Zhvlerësimi i Dollarit Amerikan ndaj Lekut është thjesht reflektim i kursit euro-dollar. Nuk mendoj se kursi i dollarit ndikohet nga faktorë të brendshëm. Në volumet e këmbimit të monedhave të huaja, Dollari mund të zërë një peshë prej 3% ose 4% në vit, kështu që nuk përcaktohet kërkesë-oferta e brendshme” shprehen për “Monitor”, ekspertë të tregut valutor.



Deficiti i jashtëm arrin nivelin më të lartë që prej vitit 2011

Pandemia, në fakt, ka dhënë një goditje të ndjeshme në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare. Deficiti i llogarisë korrente për 9-mujorin 2020">2020 arriti vlerën e 806 milionë eurove, në rritje me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti korrent i 9-mujorit 2020">2020 është njëkohësisht më i larti që prej vitit 2011.

Një rritje e deficitit të llogarisë korrente pas shpërthimit të krizës pandemike ishte e pritshme, për shkak të impaktit në ecurinë e eksportit të mallrave dhe sidomos të shërbimeve, ku më i godituri është turizmi. Të ardhurat neto nga turizmi për 9-mujorin 2020">2020 ishin 224 milionë euro, në rënie me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimi ishte më i vogël në komponentin e sektorit fason, tjetër kolonë e rëndësishme e eksporteve shqiptare. Të ardhurat nga sektori ranë 5.6% me bazë vjetore.

Efekti negativ është shtrirë tek një tjetër burim i rëndësishëm valute, remitancat, që për 9-mujorin ranë në 470 milionë euro, pothuajse 10% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, deficiti korrent pësoi një ngushtim në komponentin më të madh, deficitin në mallra, që zbriti në 2.1 miliardë euro, 8.6% më pak krahasuar me 9-mujorin 2019. Ngushtimi i deficitit në mallra erdhi nga rënia e ndjeshme e importeve krahasuar me një vit më parë.







Sasia e Lekut në ekonomi arrin nivele rekord

Pas shpërthimit të krizës në muajin mars 2020">2020, Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë të furnizimit të pakufizuar të tregut me likuiditet të nevojshëm, për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar dhe për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë për para. Kjo u përkthye në ofertë të shtuar të monedhës vendase në treg. Statistikat tregojnë se në fund të nëntorit 2020">2020, vlera e agregatit monetar M2, që përfaqëson indikatorin më të përafërt të sasisë totale të lekut që qarkullon në ekonominë shqiptare, arriti vlerën e 834 miliardë lekëve.

Me bazë vjetore, agregati M2 u rrit me 11.7%, ndërsa krahasuar me muajin mars, rritja ishte rreth 8.7%. Fakti që mes muajve mars dhe nëntor, oferta e lekut në ekonomi u zgjerua me mbi 66 miliardë lekë, në teori krijonte premisa për një nënçmim të monedhës vendase ndaj euros. Megjithatë, as ky faktor nuk dha ndonjë efekt domethënës në zhvlerësimin e lekut. Agjentët e këmbimeve valutore kanë konstatuar një kërkesë të dobët për euro në treg, e cila mund të jetë një nga arsyet që ka balancuar në krahun tjetër likuiditetin e bollshëm në lekë.

Në krahun e ofertës totale të euros në treg, nuk ekzistojnë statistika, sepse deri tani nuk është mundur të matet ose të vlerësohet sasia e euros që qarkullon jashtë bankave. Indikatorët e tërthortë të ndryshimeve të fluksit të euros në ekonominë shqiptare janë bilanci i pagesave dhe ecuria e depozitave bankare.

Nëse bilanci i pagesave është përkeqësuar, depozitat kanë regjistruar rritje në përmasa jo shumë të mëdha. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të nëntorit 2020">2020, totali i depozitave në monedhën europiane arriti në 4.51 miliardë euro. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 2.7%, ndërsa krahasuar me muajin mars, rritja rezulton mjaft e ulët, me më pak se 1%.

Një faktor me ndikim të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare dhe në kursin e këmbimit besohet të jetë edhe paraja nga aktivitetet e jashtëligjshme dhe që kryesisht hyjnë në ekonominë shqiptare në euro. Vitet e fundit, ka dyshime për rritje të investimit të këtyre parave në sektorin e ndërtimit. Vendosja në punë e këtyre parave për ndërtime në teori mund të ketë rritur ofertën dhe këmbimet e euros në tregun e brendshëm valutor.





Banka e Shqipërisë ndërpreu programin e blerjes së valutës

Thellimi i deficitit në bilancin e pagesave dhe rritja e likuiditetit në lekë në teori ndoshta duhej të ishte shoqëruar me një nënçmim të fortë të monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron. Megjithatë, tregu valutor duket se u ndikua pjesërisht nga disa faktorë të tjerë balancues. Banka e Shqipërisë ndërhyri menjëherë për të frenuar atë që dukej të ishte një rrokullisje e rrezikshme e Lekut në gjysmën e dytë të muajit mars 2020">2020.

Shpërthimi i epidemisë së COVID-19 shkaktoi një lloj paniku në tregun valutor dhe Leku u nënçmua kundrejt Euros me rreth 7% brenda pak javësh. Kjo bëri që në datat 27 dhe 30 mars, Banka e Shqipërisë të ndërhynte dy herë në treg, duke shitur valutë për më shumë se 20 milionë euro. Këto ndërhyrje e qetësuan shpejt tregun valutor.

Paralelisht, Banka e Shqipërisë vendosi të anulojë edhe ankandet për blerjen e valutës në tregun e brendshëm valutor. Për vitin e kaluar, u zhvilluan vetëm dy ankande, me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh, ndërsa kishte planifikuar të blinte një shumë prej rreth 102 milionë eurosh, mbështetur në kalendarin vjetor. Anulimi u bë për të mos krijuar kërkesë shtesë për euro në tregun valutor, çka në teori mund të sillte presione për mbiçmimin e monedhës europiane.

Stabilizimi i kursit të këmbimit ka bërë që Banka e Shqipërisë të rifillojë këtë vit ankandet e blerjes së valutës, në funksion të menaxhimit të rezervës valutore. Janë planifikuar gjithsej 14 ankande, ku shuma e parashikuar për t’u blerë është midis 56 dhe 84 milionë eurove. Shuma e blerë në ankande mund të jetë edhe më e madhe, sepse në shumicën e rasteve, Banka e Shqipërisë ushtron opsionin e blerjes në një raund të dytë, në shuma më të mëdha.

Shumat e blera në ankande nga Banka e Shqipërisë u rritën ndjeshëm pas vitit 2017 dhe arritën shifrën rekord të gati 155 milionë eurove në vitin 2019. Për vitin e kaluar, u zhvilluan vetëm dy ankande me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh, ndërsa kishte planifikuar të blinte një shumë prej rreth 102 milionë eurosh, mbështetur në kalendarin vjetor të ankandeve.

Në fund të muajit nëntor 2020">2020, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 3.87 miliardë eurove, në rritje vjetore me 17.2%. Rezerva arriti vlerën rekord të 4.17 miliardë eurove në qershor, pas depozitimit të fondeve të eurobondit nga qeveria shqiptare, ndërsa erdhi gradualisht në rënie të lehtë në gjysmën e dytë të vitit.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çrregullimit të kursit të këmbimit, ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar.

Qeveria e mbuloi deficitin buxhetor me eurobondin

Një faktor që pati ndikim të konsiderueshëm në ofertën e valutës në tregun e brendshëm valutor në vitin 2020">2020 ishte eurobondi prej 650 milionë eurosh i siguruar në muajin qershor në tregjet financiare ndërkombëtare.

Një pjesë e tyre, 250 milionë euro, shërbyen për të shlyer eurobondin e vitit 2015, ndërsa pjesa më e madhe u përdorën për financimin e deficitit buxhetor të vendit.

Mbulimi i deficitit me paratë e eurobondit uli kërkesën për huamarrje të brendshme dhe ndihmoi në ruajtjen e interesave të qëndrueshme në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë. Duke qenë se qeveria i kryen shumicën e shpenzimeve të veta në lekë, këto fonde krijuan gjithashtu një shtesë të ofertës për euro në tregun valutor dhe ndikuan në stabilitetin e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Për 11-mujorin 2020">2020, deficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 73 miliardë lekëve. Pjesa më e madhe e deficitit prej 35 miliardë lekësh të krijuar në periudhën qershor-nëntor u mbulua pikërisht përmes fondeve të eurobondit. Nga 650 milionë euro hua të siguruara nga eurobondi i qershorit, 400 milionë euro kishin qëllim të përdoreshin pikërisht për mbështetje buxhetore, për mbulimin e deficitit. Pandemia krijoi një thellim drastik të deficitit buxhetor, sidomos për shkak të të ardhurave të munguara.

Në 11 muajt e këtij viti, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 305 milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një element tjetër që mund të tregojë ndikimin e shpenzimeve publike është rritja e lehtë e investimeve me financim të huaj. Sipas Ministrisë së Financave, për 11-mujorin 2020">2020 vlera e investimeve me financim nga jashtë arriti në 20.9 miliardë lekë, në rritje me gati 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Ekspertët: Mungesa e spekulimit i jep stabilitet kursit të këmbimit

Ekspertë të sektorit bankar shprehen për revistën “Monitor” se një faktor me ndikim të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit Euro-Lek në Shqipëri është mungesa e dimensionit spekulativ.

“Mendoj se tregu mbahet i qëndrueshëm edhe nga mungesa e aspektit spekulativ. Tek ne nuk ndodh që aktorët e mëdhenj në treg të bëjnë blerje ose shitje të mëdha, të mbështetura tek pritshmëritë për mbiçmim apo nënçmim të kursit. Aspekti spekulativ ka ndikim të rëndësishëm, ai është faktori kryesor që ndikon te luhatjet në tregjet globale” – shprehet një drejtues i operacioneve të Thesarit brenda sektorit bankar.

Sipas tij, për vitin 2020">2020 do të kishte qenë i pritshëm një nënçmim i Lekut, për shkak të rritjes së deficitit të bilancit të pagesave, por edhe shtimit të likuiditetit në lekë nga Banka Qendrore. Megjithatë, ai thotë se ndoshta oferta e euros në treg mund të jetë shtuar nga injektimet e ndihmave për rimëkëmbjen dhe për tërmetin.

“Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit ndiqet edhe nga Banka e Shqipërisë dhe në momente të veçanta ata mund të ndërhyjnë. Mendoj se është edhe psikologjike, kursi është stabilizuar pak a shumë në këto nivele. Volumet e këmbimit përgjithësisht janë të balancuara dhe nuk ka luhatje të mëdha të tregtimit gjatë vitit.

Edhe në mars, kur kursi pësoi luhatje të fortë, kjo ishte kryesisht psikologjike, nuk është se pati ndonjë kërkesë të jashtëzakonshme për euro që kursi të shkonte në ato nivele. Ishte më shumë një çorientim në sistem. Ne jemi një treg i vogël dhe mund të mjaftojnë pak transaksione në vlerë të lartë për të krijuar lëvizje të përkohshme, por mendoj se janë zhvillime kalimtare dhe brenda një luhatshmërie normale” – shprehet ai.

Viti 2021 mund të sjellë një forcim të lehtë të euros dhe dollarit

Ekspertët mendojnë se kursi i këmbimit do të ruajë stabilitetin edhe në vitin 2021, por ndoshta me një mbiçmim të lehtë të euros dhe Dollarit Amerikan.

“Për vitin 2021, mendoj se mund të ketë një mbiçmim të lehtë të Euros, edhe për shkak të shtimit të mëtejshëm të likuiditetit në lekë, e lidhur me rindërtimin, por edhe me vitin elektoral. Sidoqoftë, nuk mendoj se do të ketë luhatje shumë të mëdha. Tregu ka furnizim me valutë, edhe kërkesa është e balancuar.

Mendoj gjithashtu se në vitin 2021 do të ketë një rimëkëmbje të lehtë të kursit të dollarit. Besoj se me marrjen e pushtetit nga presidenti i ri amerikan do të ketë një fuqizim të dollarit në tregjet ndërkombëtare, e cila do të reflektohet edhe në kursin me lekun” – thotë për revistën “Monitor”, eksperti i operacioneve valutore./MONITOR
Shtuar më 06/02/2021, ora 11:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori