Kriza ne Maqedoni, BDI-ja paralajmëron protesta në Shkup
Albeu.com
Dhuna e filluar në sallën e Parlamentit, të martën në mbrëmje, ka vazhduar edhe para shtëpisë ligjvënëse. Katër shqiptarë janë dërguar në spital nga lëndimet e marra prej pjesëtarëve të njësitit special të "Alfave".Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të ftojë shqiptarët që të premten (nesër) të dalin në protesta masive kundër ngjarjeve që ndodhën të martën në Parlamentin e Maqedonisë. Një vendim të këtillë Kryesia qendrore e BDI-së e ka sjellë në mbledhjen e mbajtur të mërkurën pasdite. "Të premten në Shkup do të organizojmë protesta masive kundër dhunës së aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve", deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi. Kryesia partiake e BDI-së ka vlerësuar se incidentet e ndodhura në Parlament kanë qenë skenar i organizuar nga "DPMNE dhe vasalët e tyre shqiptarë, Thaçi dhe Vejseli".
Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, deklaroi se grupi i tyre parlamentar
nuk dot marrë pjesë në punën e Parlamentit, përderisa nuk formohet grup hetues i cili do t'i hetojë të gjitha incidentet e ndodhura. Njëkohësisht,
ai ka kërkuar prej anëtarësisë partiake që të "mos bie në grackat e pushtetit".
Kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i Parlamentit Lubisha Georgievski dhe liderët e LSDM-së, PLD-së dhe PDSH-së, Radmilla Sheqerinska, Jovan Manasievski dhe Menduh Thaçi, janë takuar të mërkurën në Parlament lidhur me ngjarjet e fundit.
Gruevski, në këtë takim me liderët e partive politike, kërkoi qetësimin urgjent të situatës. Kryeministri ka biseduar në telefon me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, i cili nuk ka qenë në gjendje të vijë në Parlament, që të gjendet mënyrë për uljen e tensioneve.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka thënë se as fizikisht, as verbalisht nuk e ka sulmuar Teuta Arifin. "I pengova deputetët tjerë që ta lëndojnë Teutën
ose të vjen deri te ndonjë e keqe më e madhe. As verbalist, as fizikisht nuk e kam sulmuar Teuta Arifin", ka deklaruar Menduh Thaçi.
Kryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, kërkoi nga Gruevski që
mos t'i mbrojë partnerët e koalicionit dhe të zbardhet kjo punë deri në fund.
Kryetari i Partisë për Prosperitet (PPD), Abdylhadi Veseli, një ditë pas
incidentit, në selinë e tij, në një takim me gazetarë, ka hedhur një "arsenal"
akuzash ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, duke e piketuar këtë të
fundit si fajtore kryesore për incidentin e fundit. Ai në takimin me gazetarë e ka porositur liderin e BDI-së që të mos ngucet me të.
Partia Liberal Demokratike (PLD) kërkoi që Lubisha Georgievski të japë dorëheqje, ndërsa Menduh Thaçi ta braktisë politikën. PLD-ja kërkoi nga kryeministri Gruevski ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Refet Elmazin, si dhe nga lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, që ta braktisë politikën.
Lëvizja Qytetare "Zgjohu" dënon ashpër përdorimin e retorikës së dhunës
në Parlamentin e Maqedonisë nga të përzgjedhurit e popullit dhe i konsideron
si të papranueshme ngjarjet të cilat fatkeqësisht ndodhën gjatë ditës së martë. "I përkujtojmë të përzgjedhurit e popullit se qytetarët i kanë zgjedhur që ta përdorin Parlamentin si foltore për të punuar për të drejtat
tona e jo si grushtore", thuhet në reagimin e "Zgjohu".
Ambasada e Shqipërisë në Shkup, nëpërmjet ambasadorit te saj, Vladimir Prela, shpreh keqardhjen për ngjarjet e ndodhura ne Parlament dhe dënon ashpër dhunën dhe kërcënimet ndaj shtypit të lirë, duke i konsideruar ato një shkelje të patolerueshme ndaj jetës demokratike ne vend. Lajm/albeu
Shtuar më 27/09/2007, ora 13:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori