Xhaka për herë të parë si lojtar i Leverkusenit: E njoh në detaje, mezi pres që të luaj

Gjithçka ishte mbyllur në orët e mëparshme, por tashmë vjen zyrtarizimi nga klubi i Bayer Leverkusen. Granit Xhaka është lojtari më i ri i “Aspirinave”, teksa mesfushori me origjinë shqiptare pas shtatë vitesh te Arsenal në Londër rikthehet në Bundesliga aty ku në të kaluarën ka pasur një eksperiencë me Borussia Moenchagladbach. Leverkusen pagoi 25 milionë euro për shërbimet e 30-vjeçarit me Xhakën që ka fimrosur një kontratë të vlefshme deri në vitin 2028.

Në fjalët e tij të para si lojtar i Leverkusen, Xhaka vendosi theksin te fakti se e njeh shumë mirë kampionatin gjerman.

“Këtë kampionat e njoh në detaje, e kam ndjekur edhe kur isha në Londër. Bayer Leverkusen është një klub me një histori impresionuese dhe ka shumë ambicie. Mbi të gjitha unë e shoh Leverkusen si një klub me shumë të ardhme dhe diskutimet me drejtuesit ishin tejet motivuese. Të gjithë këtu në klub janë shumë ambicioz dhe mezi pres që të luaj këtu në vitet e ardhshme”, tha Xhaka.

Nga ana tjetër për këtë transferim foli edhe drejtori sportiv i gjermanëve, Simon Rolfes që u shpreh se janë të paktë lojtarët me mentalitetin e Granit Xhakës.

“Me këtë marrëveshje kemi siguruar një “top player” si Granit Xhaka. Të gjithë e njohin aftësinë e tij në fushë, por mbi të gjitha janë të paktë lojtarët të cilët arrijnë të bëhen lider dhe të udhëheqin një skuadër si e bën ai. Kjo vjen prej mentalitetit dhe fakit se Xhaka është një lider i lindur”, u shpreh Rolfes.