Kriza, Moisiu refuzon Ramën
Albeu.com
Kryetari i PS-së tha se Presidenti duhet të udhëheqë një proces, ku përmes dialogut të dalë një zgjidhje e pranuar nga të gjithë.“Ne i kërkojmë Presidentit të iniciojë një tryezë të të gjitha partive politike parlamentare”TIRANË- Thirrja e një tryeze ndërpartiake nga presidenti Alfred Moisiu, konsiderohet nga kryesocialisti Edi Rama, si mundësia e vetme, që Parlamenti të dalë nga kriza ku është zhytur kohët e fundit. Në një deklarim për mediat, Rama ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën e rënduar në sallën e seancave plenare, duke akuzuar si shkaktare të kësaj situate janë qëndrimet e mbajtura nga maxhoranca e djathtë. “Duke qenë se vazhdojmë të jemi të vetëdijshëm se duhet të thellojmë rolin tonë në zgjidhjen e kësaj krize, ne kërkojmë që në këto ditë që i paraprijnë rifillimit të Kuvendit, Presidenti i Republikës në ushtrimin e të gjithë funksioneve dhe kompetencave të tij kushtetuese, të organizojë një tavolinë me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike parlamentare. Opozita e tëra, i është drejtuar Presidentit të Republikës me një letër dhe pas saj ka pasuar jo zgjidhja, por degjenerimi i mëtejshëm i situatës dhe për këtë arsye, pas përpjekjeve deri tani të dështuara në Kuvend për t’i dhënë fund kësaj situate dhe për zhbllokuar Parlamentin, ne i kërkojmë Presidentit të iniciojë një tryezë të të gjitha partive politike parlamentare për të udhëhequr një proces, ku përmes dialogut duhet të dali dhe një zgjidhje e pranuar nga të gjithë”, - tha Rama. Sipas tij, edhe pse opozita ka shprehur shqetësimin e saj, duke ofruar edhe mundësitë për të dalë nga kriza, kjo gjë ka qenë e pamundur, për shkak të qëndrimit të pandryshuar të shumicës parlamentare.
Garda
Rama vërejti se për fat të keq, përballë opozitës që ofron zgjidhje konkrete për të kthyer normalitetin në jetën parlamentare, qëndron një palë e shurdhër përballë kërkesave të ardhura nga opozita. “Por praktikisht kemi përballë një palë, e cila mbetet e shurdhër karshi kërkesës tonë këmbëngulëse, për të dalë dhe jo për të vazhduar në një rrugë pa dalje. Thellimi i krizës ka pasur sigurisht të bëjë me ndërhyrjen e një kompanie speciale të Gardës së Republikës, në mjediset e seancave të Kuvendit. Në këtë krizë ka shenja të goditjeve antisistem të iniciuar nga Kryeministri, që praktikisht nxjerr në shesh fizionominë fillestare të një projekti, që lidhet me mundësinë tashmë të qartë të manipulimit të zgjedhjeve vendore, sepse kemi një gjenerimin të konfliktit institucional me Presidentin e Republikës. Kemi një paralizim të KLD-së dhe një uzurpim të tij antikushtetues. Ne jemi tërësisht të vendosur, që të qëndrojmë në rrugën tonë të shprehjes permanente të këtij shqetësimi të madh të demokracisë dhe njëkohësisht të shprehjes këmbëngulëse të vullnetit për dialog”, - tha Rama më tej. Gjithsesi, thirrja e tryezës ndërpartiake nga ana e kreut të shtetit, duket paksa e pamundur, pasi dje në takimin me dy nënkryetarët e Parlamentit, Fatos Beja e Ylli Bufi, presidenti Alfred Moisiu, ka kërkuar që të vazhdojë dialogu brenda strukturave parlamentare. Ky është hapi i dytë që ndërmerr opozita, për të kërkuar që kreu i shtetit duke ushtuar kompetencat dhe autoritetin e tij, të luajë rolin e tij në zgjidhjen e krizës. Një javë më parë krerët e 5 partive parlamentare të opozitës PS, PSD, LSI, PAD dhe PDS, kanë nënshkruar një letër të përbashkët, ku kanë ngritur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në Parlament.
Shtuar më 04/03/2006, ora 17:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori