Kritikohet vendimi i Gjykates se Shkupit per Sopotin
Albeu.com
Vendimi i Gjykatës themelore Shkupi 1, e cila veproi ndryshe nga Gjykata e Kumanovës në rastin Sopoti nuk është i drejtë, vlerëson eksperti juridik Osman Kadriu, sipas të cilit, Shkupi 1 duhej të sillte vendim të ngjashëm me Gjykatën e Kumanovës për ...... rigjykimin e Zenel Klaiqit dhe gjashtë bashkëfshatarët e tij të dënuar në mungesë. Sipas Kadriut, Gjykata e Shkupit ka treguar njëanshmëri, joprofesionalizëm dhe ka shkelur normën ligjore.
“Tash janë dy vendime të dy gjykatave të shkallës së parë dhe ato janë në kundërthënie njëra me tjetrën, meqenëse punohet për një rast, për një gjendje faktike dhe juridike, duhet të jetë edhe vendimi i njejtë. Mendoj se këtu Gjykata themelore Shkupi 1 tregon një njëanshmëri dhe joprofesionalizëm në shqyrtimin e çështjes, a mos të flas, mund të ketë, a me siguri ndoshta ka edhe elemente të keqpërdorimit të pozitës gjyqësor në shqyrtimin e një rasti konkret penalo juridik, causa criminalis, siç është rasti i Sopotit”, vlerëson Osman Kadriu, profesor universitar.

Ndaj vendimit të Gjykatës themelore Shkupi 1 kanë reaguar edhe organizatat Joqeveritare. Artan Grubi nga lëvizja “Zgjohu” vlerëson se drejtësia në vend funksionon në baza etnike.
“Vendimi i Gjykatës themelore në Shkup është skandaloz dhe dëshmon edhe një herë se drejtësia maqedonase shef me syze etnike kur bëhet fjalë për raste në të cilat gjykohen shqiptarët dhe gjykojmë që ky vendim është absolutisht i papranueshëm dhe rrjedhimisht duhet të rezultojë me lirimin e Zenel Klaiqit dhe të tjerëve që janë dënuar për këtë rast.”, thotë Artan Grubi, Lëvizja qytetare “Zgjohu".

Valon Bela nga OJQ “Realiteti” duke reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Shkupit tha se kjo është dëshmi për institucionet gjyqësore marrin direktiva nga politika.
“Ky është një shembull eklatant i kontradiktave mes institucioneve ngase ne me aktivitetet tona kemi bërë të ditur se shumë nga institucionet vendore, përfshirë edhe Gjykatat marrin direktiva nga politika, ja kjo është një prej shembujve shumë të qartë që shpjegon atë fenomen. Jemi duke u konsultuar me kolegët se a do të mbajmë një protestë pranë selisë së BDI-së. Nuk është problem i sopotasve se çfarë vendosin gjykatësit, problem është se kush i ka akuzuar ata dhe për çfare”, shton Valon Bela.

Ndaj vendimit të Gjykatës themelore Shkupi 1, e cila lë në fuqi vendimin për Zenel Klaiqin dhe gjashtë bashkëfshatarët e tij ka reaguar pala mbrojtëse. Avokati Vullnet Paçuku tha se është ankuar në shkallën e dytë gjyqësore, nga ku pret një vendim të njejtë me atë të Gjykatës së Kumanovës e cila kishte vendosur për të kthyer lëndën në rigjykim ndërsa kishte lënë në arrest shtëpiak katër prej 11 të akuzuarve për rastin e Sopotit. (alsat-m)
Shtuar më 25/07/2010, ora 20:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori