Krishti u ngjall! Frendo: Kjo natë më kujton '97, sakrifica do kurorëzohet
Krishti u ngjall! Në një situatë aspak të zakonshme dhe si kurrë më parë është zhvilluar mesha për Pashkët në Tiranë, Shkodër, Lezhë dhe qytete të tjera, pasi në Katedrale nuk ka qenë asnjë besimtarë, të cilët i kanë ndjekur ritet nga televizori për shkak të koronavirusit. Në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, meshën e drejtoi Imzot George Frendo.

Arqipeshkvi dha disa mesazhe në fjalën e tij. Ai tha se këtë herë Pashkët për shkak të rrethanave i kremtojmë ndryshe, por u shpreh se sakrificat e këtyre ditëve do të shpërblehen.

“Ndërsa zakonisht ju takoj në këtë kishë katedrale sonte nëpërmjet televizorit. Çdo vit kremtojmë festën e Pashkëve, por në një situatë të ndryshme.

Më kujtohet kur kam kremtuar pashkët për herë të parë në Shqipëri, marsi i 1997, gjatë kremtimit kam parë disa besimtarë duke qarë, por unë kujtova fjalët e Jezusit, që ai tha pak orë para se ushtarët ta kapnin për ta çuar drejt kryqit u tha apostujve, ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.

Kur gruaja është duke lindur hidhërohet, se i erdhi ora e lindjeve, por kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka sjellë një njeri në botë. Sot po bëjmë shumë sakrifica por le të hedhim me shpresë një shikim drejt një të ardhmeje që do të kurorëzojë të gjitha sakrificat që po bëjmë këto ditë”, tha ai.
Shtuar më 12/04/2020, ora 08:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori