Krimi i pasionit në Fier/ Flasin familjarët: Motivi ishte shtatzënia e Ermirës
Dyshimi kryesor mendohet se është pikërisht shtatzënia ajo që ka futur në konflikt dy të rinjtë, çka përfundoi tragjikisht për jetën e të dyve.

Hetimorët kanë ngritur dyshime se 29-vjeçarja mund të ketë qenë shtatzënë me të dashurin e saj, Drini Derveni, dhe se ky i fundit i ka kërkuar të abortonte, pasi ai ishte baba i dy fëmijëve (më e vogla pak muajshe). Ndërsa pista tjetër e dyshuar është shtatzënia e Ermira Dushit me të shoqin.

Për këtë shkak ajo i ka kërkuar ndarjen 32-vjeçarit, por ai nuk e ka pranuar këtë. Gjithsesi, këto dy pista mbeten në kuadër dyshimi deri në hetimin e plotë të kësaj tragjedie që ndodhi në aksin Fier-Hoxharë. Viktimat u gjetën pa jetë në fuoristradën me targë AA 939 OY, në pronësi të 32-vjeçarit, mjet i parkuar në anë të rrugës, pranë Urës së Shënpjetrës.

Dy telefonat e tyre janë sekuestruar dhe brenda javës që vjen do të kërkohet verifikimi i tabulateve telefonike, mesazheve e komunikimeve mes tyre, por edhe me persona të tjerë. Kjo pasi policia, veç dyshimit paraprak ku vajza është vrarë nga i dashuri e më pas ky i fundit ka qëlluar edhe veten, ka dyshime për një ekzekutim të mundshëm të tyre nga persona të tretë. Burime të Policisë thanë se janë duke hetuar në të gjitha pistat e mundshme.

Pasi janë kryer veprimet procedurale, trupin e Drini Dervenit e kanë tërhequr familjarët e tij, ndërsa atë të Ermira Arapit e kanë marrë prindërit e saj në Lushnjë. Familja e Ermirës është kthyer gjatë natës nga Greqia, ku jetojnë e punojnë prej vitesh.

Ata kanë firmosur tërheqjen e trupit të së bijës. Pasi i kanë bërë nderimet në shtëpinë e tyre në fshatin Ngurrëz të Lushnjës, miq e të afërm të familjes e kanë përcjellë në banesën e fundit.

Po ashtu edhe familja e Drini Dervenit ka përcjellë me dhimbje djalin e tyre. Në ceremoni ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e lënduar nga vdekja e parakohshme e të shoqit, i cili i la pas dy fëmijë të mitur.

Sipas fqinjëve të familjes, bashkëshortja e Dervenit nuk është vënë në dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe as lidhjen me 29-vjeçaren. Ndërkohë, reagimi i bashkëshortit të Ermirës, shtetasi A. Dushi, më- sohet se ka qenë mjaft demonstrativ dhe i ashpër. Mësohet se pasi ka mësuar vrasjen e bashkëshortes, ai është nisur menjëherë bashkë me prindërit e tij në Fier.

Deri në momentin e mbërritjes, ai nuk e ka ditur shkakun dhe as rrethanat. Por sipas të afërmve të familjes, ai ka mohuar tërheqjen e trupit të bashkëshortes dhe varrimin e saj pasi ka mësuar të vërtetën.

Sipas burimeve, ai nuk ka shkuar as në ceremoninë mortore në Ngurrëz dhe është distancuar nga të gjitha obligimet e familjes së saj. Vajza e mitur e çiftit Dushi qëndron me babanë e saj.
Shtuar më 12/02/2017, ora 08:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori