Krimet e Rënda regjistrojnë procedimin penal ndaj deputetit të PS
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar një procedim penal ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Alket Hyseni, pas akuzave të bëra nga qytetarja Irini Bua kundër tij për përvetësimin e 11 mijë metra katrorëve tokë në Dhërmi.

Procedimi penal nisi mbi bazën e kallëzimit të dorëzuar në dhjetor 2017 në Prokurori nga shtetasja Irini Bua, e cila e akuzon deputetin Hyseni për përvetësimin e pronës së saj.

Panorama ka mësuar se mbi për deputetin Alekt Hyseni procedim është regjistruar mbi tre akuza; falsifikimi i dokumenteve, korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe shpërdorimi i detyrës.

Pronësia e deputetit Hyseni mbi 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi u vendos në pikëpyetje pas akuzave publike të shtetases Irini Bua se kjo tokë ishte përfituar përmes shpërdorimit të detyrës. Në vitet 2014-2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimit e paligjshëm të pronave shtetërore.

Irini Bua është shtetasja që ka akuzuar publikisht deputetin e PS-së për tokën që ka patur trashëgim nga familja. Por deputeti në një deklaratë të tij të mëparshme ka sqaruar publikisht se tokën e ka blerë në mënyrë të rregullt. Bëhet fjalë për një sipërfaqje prej 11 mijë metrash katrorë në Dhërmi, ku do të ndërtohet një resort turistik. Fillimisht, konflikti për pronën ka nisur brenda familjes Bua.

Madje, ka patur edhe kallëzime në lidhje me pronën në vitin 2014 në Prokurorinë e Vlorës dhe në Task-Forcën e ngritur nga qeveria për verifikimin e titujve të pronësisë, e cila kryesohej pikërisht nga Alket Hyseni.

Irini Bua pretendon se prona ku po ngrihet resorti i është dhënë Athina Buas dhe është regjistruar nëpërmjet falsifikimeve në emër të Stefo Buas.

Sipas Irinit, pretendimet e Stefos nuk janë të vërteta, pasi prona e familjes Bua në zonën e quajtur ‘Megalohara’ në Dhërmi nuk është aq e madhe sa pretendon kunati i saj. Hyseni ka pranuar më herët se Irini Bua dhe i shoqi i saj, Mantho Bua kanë bërë padi të shumta për pronën por nuk ka pranuar asnjëherë se prona që ai ka blerë është e tyre. Irini Bua i është drejtuar prokurorisë edhe në vitin 2015, por hetimet janë mbyllur në vitin 2016 dhe konkluzioni i Prokurorisë ka qenë se familjes Bua u është dhënë më shumë tokë sesa parashikon ligji.

Dy vendimet e shpërndarjes së tokës bujqësore të lëshura nga komisioni i fshatit Dhërmi në emër të Athina Buas dhe Stefo Buas, janë regjistruar në hipotekë pas një vendimi të Gjykatës së Vlorës në 29 janar 2013. Ky vendim është tashmë në duart e Prokurorisë. Më pas toka për të cilën po verifikohet nga organet e akuzës, është shitur tri katër herë deri sa ka rënë në duart e Hysenit.
Shtuar më 09/05/2018, ora 19:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori