Kreu i ri i ILDKP-së, Ganaj, forcon kriteret kur dënohet zyrtari për fshehje pasurie
Me ardhjen në krye të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Shkëlqim Ganaj ka nxjerrë dhe dy urdhra të rinj në të cilën përcaktohen shkeljet e zyrtarëve të lartë në deklarimin e pasurive. Portali Albeu ka mundur që të sigurojë dy urdhrat e rinj të firmosura nga kreu i ri i ILDKP-së pas shkarkimit të Zana Xhukës.

Rastet e shkeljeve
Deklarimi i pasurive nuk është i rregullt kur nuk bëhet sipas kërkesave të parashikuara në ligj:
a) Zyrtari nuk ka plotësuar formularin e duhur të deklaratës së interesave privatë, sipas llojit të detyrimit për deklarim ose sipas modelit të formularit të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm
b) Zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk kanë nënshkruar të gjitha fletët e formularit të deklaratës së interesave privatë ku janë pasqyruar të dhëna lidhur me objektin e deklarimit.
c) Zyrtari nuk ka plotësuar autorizimin dhe nuk ka pasqyruar në deklarimin e tij të interesave privatë faktin nëse ka ose jo persona të tjerë të lidhur me të
d) Zyrtari deklaron të dhënat edhe për pesonat e lidhur, kur këto të fundit disponojnë pasuri të regjistruar veçmas dhe për pasojë detyrohen ligjërisht të plotësojnë fletët përkatëse të këtij formulari.
e) Zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk deklarojnë sipas kërkesave të formularit të interesave privatë vlerën e të ardhurave neto.
f) Zyrtari nuk ka pasqyruar saktë vlerën e aseteve, të ardhurave apo të detyrimeve sipas monedhës përkatëse.
g) Zyrtari, në deklarimin e interesave privatë periodikë vjetorë apo pas largimit nga funksioni, nuk pasqyron sipas kërkesave ligjore shtesa dhe ndryshime të gjendjes pasurore, por deklaron gjendjen e tyre.
Gjithashtu, deklarimi do të quhet i parregult edhe kur zyrtari apo personat e lidhur me të nuk depozitojnë dokumentet justifikues për pasuritë, detyrimet financiare dhe burimet e krijimit të tyre, gjatë kontrollit dhe hetimit administrativ.

Urdhri i dytë

Në urdhrin e dytë, kreu i ri i ILDKP-së ka parashikuar që të marrë sanksione edhe për eprorët e zyrtarëve shkelës. Sipas urdhrit, shkelje do të quhet edhe kur zyrtari, eprori apo struktura përgjegjëse në institucionin epror, nuk njofton në kohë Inspektoratin e Lartë, mbi masat e marra rast pas rasti në kompetencë të tyre, për trajtimin apo zgjidhjen konfliktit të interesit. Gjithashtu, cenim i ligjit është edhe në rastet kur eprori, apo çdo zyrtar tjetër, nuk bën prezent pranë autoritetit përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit, informacionin që disponon lidhur me interesat privatë, të cilat bëhen shkak për konflikt të interesit për zyrtarët.
Masa do të merren dhe për ata eprorë apo institucione kur nuk mbrojtjën punonjësit e tyre. Kështu, shkelje është edhe kur struktura përgjegjëse në institucionin publik, gjatë mbledhjes së informacionit për interesat privatë të zyrtarëve, nuk ruan konfidencialitetin e të dhënave apo kur vërtetohet se eprori ka ushtruar kompetenca administrative me efekte ndëshkuese ndaj subjektit/zyrtarit, për shkak të informacionit të dhënë nga ky i fundit, lidhur me ekzistencën e interesave privatë të eprorit apo çdo zyrtari tjetër në institucionin publik./Albeu.com/
Shtuar më 13/03/2014, ora 23:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori