Zelensky i bindur: Ne do të fitojmë, edhe vetë rusët po protestojnë kundër Putinit

Teksa lufta në Ukrainë është në ditën e tretë të saj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka mbajtur një konferencë për shtyp mëngjesin e ditës së sotme.

Zelensky ka theksuar se vendi i tij do të triumfojë mbi forcat ruse. Ai tha se forcat qeveritare ende kontrollojnë Kievin dhe “pikat kyçe rreth qytetit”, shkruan The Guardian.

“Ne duhet ta ndalojmë këtë luftë dhe të jetojmë në paqe të gjithë së bashku. Ushtria, garda  kombëtare, policia, shërbimi special, shtetas të Ukrainës, ju lutem mos u dorëzoni. Ne do të fitojme. Lavdi Ukrainës”, tha kreu i shtetit ukrainas.

Armiku po përdor të gjitha armët, duke goditur zonat e banuara. Ata po përpiqen të shkatërrojnë infrastrukturën energjetike dhe të gjithë duhet të na ndihmojnë që të ndalojmë këtë pushtim”, shtoi ai.

Ai tha se pas diskutimeve me liderët e BE-së ditët e fundit, duke përfshirë përjashtimin e Rusisë nga sistemi i pagesave Swift, besonte se Ukraina duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe qytetarët e saj duhet të kenë të njëjtat të drejta.

“Populli ukrainas meriton të bëhet anëtar i BE-së. Dhe ky do të ishte një sinjal i mbështetjes suaj për Ukrainën. Ky diskutim duhet të marrë fund tani.

“Ne e diskutuam këtë sot me liderët europianë. Të gjitha pajisjet dhe ndihma ushtarake e mbrojtjes do të shpërndahen në Ukrainë dhe po punohet për shkëputjen e Rusisë nga Swift.

Shpresoj se Hungaria do të detyrohet të mbështesë këtë vendim”, tha presidenti.

“I bëj thirrje çdo miku të Ukrainës që dëshiron të bashkohet me ne për të mbrojtur vendin, ju lutemi ejani, ne do t’ju japim armë.

Të gjithë ata që mbrojnë Ukrainën janë heronj”, shtoi Zelensky.

Ai i bëri një tjetër thirrje popullit rus për të ndihmuar në ndalimin e luftës duke ushtruar presion mbi Vladimir Putin dhe qeverinë e tij. Protestuesit kundër luftës janë arrestuar në Moskë dhe Shën Petersberg.

“Dua që të gjithë në Rusi të më dëgjojnë. Njerëzit duhet t’i tregojnë qeverisë pse lufta duhet të marrë fund”, përfundoi presidenti ukrainas.

“Shtetasit tuaj po shprehin se janë kundër  kësaj lufte. Ne e dimë se shumë njerëz në Rusi janë të tronditur tani nga brutaliteti i qeverisë ruse, ky është reagimi i duhur, ju jam mirënjohës,” përfundoi presidenti./albeu.com/