“Thikë pas shpine”, Putin pas rebelimit të grupit Wagner: Tradhtarët do të ndëshkohen!

Presidenti Vladimir Putin i është drejtuar popullit rus pas “rebelimit” të Grupit Wagner.

Në fjalimin e tij, Putin thotë se disa rusë janë “mashtruar në një aventurë kriminale”, pa përmendur në mënyrë specifike luftëtarët rebelë të Wagner.

Ai tha se e ardhmja e Rusisë është në rrezik, dhe i përshkroi veprimet e kryengritësve si një “thikë pas shpine”.

Ata që shkojnë qëllimisht në rrugën e tradhtisë, duke përgatitur një rebelim të armatosur do të ndëshkohen”, tha Putin. 

“Çdo trazirë e brendshme është një kërcënim vdekjeprurës për shtetin tonë, për ne si komb; është një goditje për Rusinë, për popullin tonë dhe veprimet tona për të mbrojtur atdheun tonë. Një kërcënim i tillë do të përballet me një përgjigje të ashpër.”

Pa përmendur në mënyrë specifike shefin e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, Putin thotë se “ambiciet” e larta të disave kanë çuar në “tradhti të lartë”.

Presidenti rus paralajmëroi gjithashtu “dënim të pashmangshëm”  për ata që përçajnë shoqërinë ruse, shkruan BBC.

Dhe ai thotë se një regjim kundër terrorizmit është vendosur tani në kryeqytetin Moskë dhe në disa rajone të tjera.

Më tej, në fjalën e tij Putin theksoi se të gjitha “urdhrat e nevojshme janë dhënë” për t’u marrë me krizën, duke u zotuar të mbrojë Rusinë.

Çfarë ndodhi sot? 

Konflikti i zjarrtë midis udhëheqjes ushtarake të Moskës dhe Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit privat mercenar Wagner, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në një kryengritje të hapur që e zhyt Rusinë në pasiguri.

Kryebashkiaku i Moskës tha se kryeqyteti po përforcon sigurinë pasi Prigozhin pretendoi se kishte marrë kontrollin e objekteve kryesore ushtarake në qytetet ruse të Rostov dhe Voronezh të shtunën.

Prigozhin tha në një video se ai është në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, afër kufirit me Ukrainën, dhe se forcat e tij kanë kontrollin e objekteve ushtarake dhe aeroportit atje.

Ai u zotua të bllokojë Rostovin dhe të shkojë në Moskë nëse ministri rus i Mbrojtjes dhe gjenerali i lartë nuk takohen me të në qytet, ku është selia e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.

Ai tha se njerëzit e tij nuk po i pengojnë oficerët të kryejnë detyrat e tyre. Kjo vjen pasi Prigozhin tha se luftëtarët e tij  po hynin në rajonin e Rostovit të premten dhe se Garda ruse dhe policia ushtarake i janë bashkuar grupit Wagner.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë automjete ushtarake në rrugë dhe helikopterë mbi qytet të shtunën në mëngjes. Aktualisht është e paqartë se nën kontrollin e kujt janë automjetet./Albeu.com/ 


Shtuar 24.06.2023 09:30