Veliaj viziton fermën bio: Të konsumojmë prodhime vendi!
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Vëmendja e treguar nga Bashkia e Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës në ish-komuna dhe në tregje, ka nxitur rritjen e investimeve për zgjerimin e ekonomisë lokale. Prodhimi dhe promovimi i produkteve bio është një mënyrë se si fermat e zonës së Tiranës po zhvillojnë ekonominë lokale, duke investuar fort në rritjen e cilësisë në bujqësi përmes teknologjisë së avancuar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, vizituan fermën “BioFarm Alpin” në Lundër, si një nga shembujt më të mirë që ka ndikuar edhe në nxitjen e punësimit në këtë zonë.

“Ka nisur një trend i mirë, ku po prodhohet “Made in Albania” dhe konsumohet “Made in Albania”, ndaj besoj se duhet të vazhdojmë. Ky është vetëm hapi i parë, një stalle me 110 krerë, e cila krijon një ekonomi lokale dhe ka punësuar 86 vetë. Procesi fillon këtu, mandej në baxho, në përpunim, më pas në marketing, në restorantet e Tiranës e ndoshta edhe në familjet tona, si një punë zinxhir, ku sigurohemi që kemi një ekonomi lokale e cila është e vetëmjaftueshme për zonën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi aplikimin e metodave të reja dhe teknologjive moderne për përpunimin e produkteve blegtorale. “Kjo kulturë është një dallëndyshe e parë edhe për fermerët e tjerë të cilët, duke u frymëzuar nga ajo që shohim këtu, mund ta vazhdojnë në të gjithë zonën periferike të Tiranës. Në Tiranë jemi të bekuar sepse vërtet kemi një qytet me 1 milion banorë, por kemi edhe një kurorë të gjelbër në pjesën rurale, me njerëz punëtorë të cilët bëjnë mrekullira”, tha ai.

Duke vlerësuar investimin e kryer, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të orientohen drejt konsumimit të produkteve të zonës, e cila do të garantojë një të ardhme më të mirë edhe për ekonominë vendase.

“Është një hap fantastik përpara, që tregon se mund të prodhojmë në vend, se mund të kultivojmë ekonominë tonë lokale, se mund të kthejmë traditën tonë të fermave, mbarështrimit të kafshëve, të produkteve bio ushqimore. Është një moment fantastik, për t’u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të konsumojmë sa më shumë prodhime vendi. Ne harxhojmë pafund të ardhura nga ekonomia jonë, të cilat shkojnë për mall që vjen nga jashtë. Kjo nuk shkon, nëse paraja nuk qarkullon brenda vendit, nëse nuk konsumojmë produktet që prodhohen në zonën e Tiranës, Farkës, Petrelës, Mulletit, atëherë sigurisht që ekonomia jonë s’ka të ardhme”, theksoi Veliaj.

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito vlerësoi investimin e bërë në këtë zonë, si një mundësi e mirë për të zhvilluar ekonominë lokale. “Është një investim shumë i mirë në zonën e Farkës, ku ka 86 punonjës të kësaj zone që punojnë për këtë fermë, restorantin, pra gjithë ciklin, nga prodhimi e deri te konsumimi”, tha ajo.

“BioFarm Alpin” në Lundër mbarështron 110 krerë dhi me origjinë franceze, të cilat garantojnë një rendiment të lartë dhe cilësi, duke i ofruar tregut shqiptar prodhime blegtorale bio dhe me standarde higjieno-sanitare.
Shtuar më 15/05/2017, ora 13:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori