Kreshnik Spahiu letër ambasadorit amerikan: Mos njihni bashkitë ku fituan kriminelët
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu i është drejtuar me një letër ambasadorit amerikan, duke kërkuar që të mos njihen si fitues të bashkive ata persona të inkriminuar që kanë fituar në këto zgjedhje.

Letra e Kreshnik Spahiut

I nderuar shkëlqesia juaj, Ambasador Donald Lu
Prej disa ditësh kemi ndjekur me shumë interes prezencën dhe rolin tuaj aktiv në fushatën elektorale të zgjedhjeve për qeverisjen vendore në Shqipëri.

Me admirim kemi vlerësuar se ju po kryni me dinamizëm misionin tuaj si vazhdimësi e suksesshme e ish-ambasadorëve të mëparshëm, Arvizu dhe Withers.

Mijëra shqiptarë panë tek ju një rreze shprese 24 orë para ditës së votimit, kur ju i apeluat gjithë shqiptarëve që të mos votonin kandidatët për kryetar bashkie të cilët janë me rekorde kriminale.

Thirrjet tuaja për të mos votuar elementët mafioz dhe “Mercedesët e Zinj” ishin një apel miqësor dhe diplomatik i një miku të vërtetë të shqiptarëve dhe jo i qeveritarëve.
Më lejoni që të shpreh konsideratën por dhe vlerësimin e mijëra shqiptarëve për kurajon tuaj fisnike.

Ndëkohë që zgjedhjet përfunduan dhe emrat e kandidatëve fitues u publikuan, një sërë pikëpyetjesh u ngritën sërish për të ardhmen e Shqipërisë.

Miliona sy janë drejtuar drejt jush për të parë dhe dëgjuar nëse:

– Kriminelët u votuan apo u refuzuan me vota nga shqiptarët?

– A do legjitimohet fitorja edhe nëse atyre do u krijoj imunitet funksioni publik i kryetarit të bashkisë?

– A do i njoh Washingtoni ata si partnerë?

– A do njihen këto zgjedhje të fituara nga “mercedesët e zinj” si proces zgjedhor me standarde apo jo?

– A do bëhen publikë emrat e kryetarëve që fituan, por që më pare, kanë pas rekorde kriminale apo do lihen anonim emrat e tyre.

Parimet dhe standardet janë padyshim më të rëndësishme se rezultati apo se kush ishte fituesi.

Këto dhe shumë pikëpyetje i nderuar mik i madh i shqiptarëve pritet të marrin një dritë informacioni prej jush në kushtet kur populli ka një krizë besimi të lartë tek institucionet e drejtësisë.

Ne ju inkurajojmë në rrugën e guximshme që keni nisur dhe u kërkojmë ndihmë si një komb me demokraci hibride dhe mungesa të theksuara të të drejtave qytetare.

Ne jemi me ju, se dhe Ju, jeni një avokat i shkëlqyer i kombit shqiptar.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, më lejoni dhe njëherë të shpreh konsideratat e larta për shkëlqesinë tuaj.
Me respekt, Kreshnik Spahiu (Kryetar Aleanca KuqeZi). /albeu.com/
Shtuar më 23/06/2015, ora 18:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori