Kremtohet Ditëlindja e Profetit Muhamed
Pëlqej
Albeu.com
Ditëlindja e 572-të e Profetit Muhamed është kremtuar në Tiranë me një program festiv të organizuar nga Komuniteti Musliman Shqiptar. Kjo është hera e parë në këta 15 vjet, që në Shqipëri kremtohet ditëlindja e Profetit Muhamed.Në program ishin të pranishëm presidenti Alfred Moisiu, zv/kryeministri Ilir Rusmajli, krerët e katër komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri si dhe deputëtë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Në fjalën përshëndetëse, kreu i shtetit u shpreh: “Dshiroj të përgëzoj dhe të uroj të gjithë besimtarët myslimanë kudo që janë për këtë ditë të gëzueshme e të madhnueshme. Dua të shpreh këtu një falenderim për të gjithë myslimanët shqiptarë, për të gjithë besimtarët shqiptarë të fesë islame, të cilët me kaq dinjitet po trashëgojnë dhe transmetojnë në brezat që vinë harmoninë midis besimeve fetare që ka zotëruar gjithmonë në Shqipëri. Transmetimi i kësaj tradite nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë është një veti e çmueshme e popullit shqiptar, është një veti e bekuar nga i madhi Zot”. Më tej, Presidenti Moisiu i ka dorëzuar Kryetarit të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Haxhi Selim Muçës, Medaljen “Për Merita të Veçanta Civile” akorduar Hafiz Sabri Koçit (Pas Vdekjes) në shenjë të vlerësimit për kontributin e tij të rëndësishëm në ringritjen e institucioneve të besimit mysliman në Shqipëri. Kreu i muslimanëve shqiptarë, e falënderoi Presidentin Moisiu për këtë vlerësim. Në fjalën e tij Muça tha se muslimanët shqiptarë do të bëjnë gjithçka për ruajtjen dhe promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare. Në mbyllje të aktivitetit, pas interesimit të mediave lidhur me situatën politike në vend, presidenti Moisiu u shpreh ``se politika duhet të marrë shembull nga harmonia që karakterizon komunitetet fetare në Shqipëri``. Në programin e organizuar me rastin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed në Pallatin e Kongreseve, morën pjesë mëse 3000 vetë nga të gjitha trevat shqiptare. Aulon Mehdiu, Gazeta Start
Shtuar më 23/04/2006, ora 16:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori