Krasniqi: Vështirësitë në veri do të zgjidhen me kalimin e kohës
Albeu.com
Në pjesën veriore të Kosovës do të ketë vështirësi, por ato vështirësi, me kalimin e kohës, do të zgjidhen në favor të tërësisë territoriale të Kosovës, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.Thirrjet e fundit ruse për vazhdimin e bisedimeve për Kosovën, Krasniqi i ka cilësuar si shantazh që i bëhet jo vetëm Kosovës, por gjithë botës demokratike, ndërkaq ka thënë se procesi i Kosovës ka hyrë në fazën finale – dhe se vala tjetër e njohjes nga vendet e botës do të vazhdojë dhe është në rrugë të mirë.

I pyetur për mundësinë e dualizmit të misioneve në Kosovë, mes atij të BE-së dhe atij OKB-së, sidomos në veri të Kosovës, Krasniqi ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë, mirëpo ai beson se këto dy organizma do të merren vesh mes vete.

“Mund të ketë, por unë besoj që BE-ja dhe OKB-ja do ta gjejnë mënyrën më të mirë të kombinimit të përgjegjësive të tyre. Përndryshe, për institucionet e Kosovës është e qartë se përgjegjësia e tyre është pas 15 qershorit”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Krasniqi ka shtuar se, sigurisht se në pjesën veriore do të ketë vështirësi, por ato vështirësi sipas tij, me kalimin e kohës, do të zgjidhen dhe do të zgjidhen në favor të tërësisë territoriale të Kosovës. (Telegrafi)
Shtuar më 16/05/2008, ora 23:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori