Krasniqi: Kush preke kufijte e Kosoves preke edhe kufijte e tjere
Albeu.com
Kush prekë kufijtë e Kosovës prekë edhe kufijtë e tjerë, sepse nëse dikush ka nevojë dhe ka të drejtë të kërkoj vija të reja kufitare atëherë janë shqiptarët.Kështu u shpreh kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, gjatë një debati me përfaqësuesit e Asamblesë Komunale të Prishtinës. Krasniqi tha se institucionet e vendit do të shtrijnë autoritetin e vet në gjithë territorin, por pa përdorur dhunë.
"Me kohë të gjithë do të binden se kufijtë e Kosovës do të jenë të paprekshëm dhe unë mendoj se çdo gjë që tenton të krijoj vija të reja kufitare në Kosovë është e paqëndrueshme, do të jetë e dëmshme, se fundja nëse dikush ka nevojë dhe ka të drejta të kërkoj vija të reja kufitare në Kosovë kanë shqiptarët. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe vendorët edhe të tjerët, se Kosova në këta kufij nuk mund të preket. Kush prek kufijtë e Kosovës preke dhe kufijtë e tjerë", deklaroi Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Ai ndër të tjera u shpreh se me shpalljen e pavarësisë Kosova tashmë ka kryer obligimin e vet dhe sipas tij pavarësia bëhet edhe më e fuqishme kur dihet se vendin e kanë njohur shtetet më të fuqishme të botës.
"Ne si shoqëri e kemi kryer një obligim të madh që e kemi pasur për vendin tonë dhe për qytetarët tanë. Kosova është bërë shtet i pavarur dhe sovran, e kanë njohur 51 vende, por dua ta ceki se ne dëshirojmë që e gjithë bota të na njohë, është dëshirë e secilit nga ne, por nëse e shikojmë të kaluarën dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën, janë shtete më të zhvilluara të botës", tha Krasniqi.
Krasniqi i cili bashkë me anëtarët e tjerë të kryesisë së parlamentit të Kosovës, gjatë tërë javës kanë vizituar asambletë komunale të qyteteve më të mëdha të vendit, ka bërë me dije se institucionet kosovare tashmë do të orientohen në zhvillimin ekonomik, forcimin e ligjit dhe ndaljen e korrupsionit. (Shaip Mustafa, Alsat-k)
Shtuar më 30/10/2008, ora 20:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori