Krahu i djathtë i Aldo Bares kërkon t'i njihet burgu i Italisë
Numri dy i Bandës së Lushnjes, i njohur si njeriu më i afërt i Aldo Bares, Enver Dondollaku ka dorëzuar në Gjykatën e Elbasanit një kërkesë për tiu njohur vitet e dënimit që ka vuajtur në Itali.

Dondollaku kërkon që t'i ulet dënimi me 25 vite. Mësohet se periudha kur Dondollaku ka qëndruar në paraburgim në Itali, përkon me kohën kur ai ka përfunduar dënimin me 16 vite burgim të dhënë nga gjykata e Torinos për trafik droge.

Pas mbarimit të këtij dënimi, Dondollaku ka vijuar të qëndrojë në burg deri në momentin kur në dhjetor 2013, Enver Dondollaku, është ekstraduar në Shqipëri, për të vijuar vuajtjen e dënimit me 25 vite burgim të dhënë nga drejtësia Shqiptare. Këtë periudhë qëndrimi në burgun Italian, numri dy i bandës së Lushnjës, ka kërkuar që ti njihet nga gjykata e Elbasanit.

Kujtojmë se Dondollaku, u arrestua në maj të vitit 2006 në qytetin e Padovës në Itali, ndërsa mbante me vete një pasaportë çeke me emrin Denis Chochlanov, por punonjësit e policisë e zbuluan gjatë një kontrolli në stacionin e trenit dhe verifikimit të gjurmëve të gishtave. Pas gjykimit për falsifikim e trafik droge, dënim i vuajtur në Itali, është vendosur edhe ekstradimi i tij në Shqipëri.

Dondollaku akuzohet për vrasjen e inspektorit të policisë, Kleanti Bano, vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të komisariatit të policisë Lushnjë, komisar Sinan Meta, vrasjen e Nimet Zeneli, Masar Aliu, Idajet Beqiri dhe Xhevdet Demiri. Vendosjen e eksplozivit në stadiumin e qytetit të Lushnjës, marrje peng dhe vënie gjobash, trafik ndërkombëtar droge dhe prostitucioni.
Shtuar më 22/10/2020, ora 14:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori