KQZ: PDK fiton Prizrenin dhe Lipjanin
Albeu.com
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është fituese në zgjedhjet e raundit të dytë të përsëritura për komunën e Prizrenit dhe Lipjanit. Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në orët e para të mëngjesit të së hënës, PDK-ja ...... ka fituar 53,2 për qind të votave të votuesve të Prizrenit dhe 53,7 për qind të votave të votuesve të Lipjanit. Sipas KQZ-së, këto janë rezultate preliminare, sepse në to nuk janë të përfshira votat me kusht, votat përmes postës dhe të personave me nevojë të veçanta. Mirëpo, numri i përgjithshëm i këtyre votave nuk është i mjaftueshëm për të ndryshuar rezultatin.

Zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, gjatë një prononcimi në Prizren ka kërkuar nga LDK-ja t’i pranojë rezultatet e këtij rundi. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka theksuar se rezultatet nuk janë inkurajuese për partinë e tij, por ka shtuar se LDK-ja do t’i pranojë rezultatet dhe do t’i urojë fituesit.

Zgjedhjet e kësaj të diele në Prizren dhe Lipjan janë vazhdimësi e zgjedhjeve të 15 nëntorit të vitit të kaluar-2009. Raundi i parë i zgjedhjeve në nëntor të vitit të shkuar, i kishte dërguar në balotazh Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa raundi i dytë më 13 dhjetor të po të njëjtit vit qe anuluar shkaku i parregullsive të raportuara në procesin e balotazhit. Në garë për kryetar të Komunës së Prizrenit qenë Ramadan Muja nga PDK-ja dhe Hanefi Muharremi nga LDK-ja, kurse në atë të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja nga PDK-ja dhe Imri Ahmeti nga LDK-ja.

Edhe deri tash, PDK-ja ka pasur mandatin në Prizren dhe Lipjan me po të njëjtët kandidatë, përkatësisht Mujën dhe Bujën.

Në Prizren, sipas KQZ-së, kanë votuar 43,3 për qind të votuesve me gjithsej 57.160 fletëvotime, prej të cilave kandidati i PDK-së, Ramadan Muja, ka fituar 30.151 vota, ndërsa kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Hanefi Muharremi, ka marrë 26.493 vota, apo 46,8 për qind.

Në Lipjan, sipas KQZ-së, kanë votuar më se 57 për qind e votuesve, apo gjithsej 26.762 fletëvotime, prej të cilave kandidati i PDK-së, Shukri Buja, ka marrë 14.209 vota, ndërsa ai i LDK-së, Imri Ahmeti ka marrë 12.261 vota, apo 46,3 për qind.


LDK pranon humbjen
23:50 - Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, e ka pranuar se kandidati i PDK-së Ramadan Muja është duke udhëhequr në komunën e Prizrenit ndaj kandidatit të LDK-së Hanefi Muharremi, derisa për komunën e Lipjanit tha se rezultati është më i balancuar dhe se priten rezultatet edhe nga pesë qendra votimi. Ai gjithashtu tha se LDK-ja i pranon rezultatet e zgjedhjeve.
Shtuar më 01/02/2010, ora 07:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori