KQZ: Për zgjedhjet e nëntorit kanë aplikuar 65 subjekte politike
Albeu.com
65 subjekte politike kanë aplikuar për të garuar në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të parapara për 17 nëntor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se kanë aplikuar subjekte që të përfaqësojnë komunitete të ndryshme, të cilat jetojnë në Kosovë.Ndërkohë, koalicioni i organizatave joqeveritare për parlament të pastër paralajmëroi se do të kontrollojë historitë e kandidatëve dhe mundësinë që ata të kenë qenë të përfshirë në shkelje të ligjeve.
“Gjithsejtë në qendër kanë aplikuar 65 subjekte politike, nga to gjithsejtë janë tetë subjekte politike serbe. Këtu bëjnë pjesë partitë, kandidatët e pavarur, iniciativat qytetare”, tha kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Mazllum Baraliu. Tetë subjekte serbe janë paraqitur në KQZ megjithë kërkesat e Beogradit që ato të bojkotojnë edhe këto zgjedhje. Thirrja u bë sot nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili tha se kushtet e kërkuara nga serbët në çështje si: decentralizimi, shëndetësia, arsimi, policia, siguria etj. nuk është plotësuar. Në anën tjetër subjektet kryesore politike në Kosovë kanë vënë në krye të listave për parlamentin liderët e tyre, ndërsa në krye të listave për Prishtinën, figura të njohura. Për herë të parë listat do të jenë nën mbikëqyrje edhe të shoqërisë civile. Kolaicioni i organizatave joqeveritare për parlament të pastër premtoi kontrollin e historive të kandidatëve për mundësinë që ata të kenë qenë të përfshirë në aktivitete jo ligjore
“Për vitet e fundit në Kosovë liderë të lartë institucionalë janë zhytur në veprime jo ligjore dhe korrupsion, kemi menduar se duhet të fillojë spastrimi i parlamentit, tha Avni Zogiani nga organizata Çohu. Hulumtuesit e koalicionit, tha Zogiani, tani më kanë filluar punën për mbledhjen e informacioneve për kandidatët. Në fazën e tretë të projektit, Zogiani paralajmëroi edhe mundësinë e fushatës ndaj kandidatëve për të cilët ka të dhëna se kanë bërë shkelje të ligjit. “Faza e tretë do të jetë faza më provokative e cila përfshin fushatë kundër kanidatëve që janë të përlyer sipas hulumtimeve dhe thirrje për mos votuar për ta”, tha Zogiani. Deri tani vetëm partia reformiste Ora ia ka dorëzuar koalicionit listën me kandidatët e saj. Zogiani tha se pret bashkëpunimin edhe të subjekteve tjera dhe largimin nga listat të atyre kandidatëve, për të cilët ka të dhëna se kanë qenë të përfshirë në aktivitete jo të ligjshme dhe kjo në funksion të të mirës së përgjithshme. RTK
Shtuar më 13/09/2007, ora 17:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori