KQZ, kërkesa e PS-së shkakton debate
Mbledhja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka nisur me debate sa i përket kërkesës së anëtarëve socialistë për të rikthyer ndarjen e mandateve në KQZ.

Që në fillim të mbledhjes, nënkryetari i KQZ-së Denar Biba ka kërkuar informacion nëse kërkesa e përfaqesuesve të opozitës për ndarjen e mandateve është pjesë e rendit të ditës apo jo.

"Dua të di nëse është e përfshirë në rendin e ditës kërkesa jonë për ndarjen e mandateve. Në bazë të ligjit, në rendin e ditës përfshihet çdo kërkesë e ardhur të paktën nga dy anëtarë, ose përfshihet, ose nuk diskutohet përfshirja, e përfshijmë dhe diskutojmë përmbajtjen, ose nuk diskutohet përfshirja, nuk ka debat për këtë", ka theksuar Biba.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi i është përgjigjur se do të diskutohet lidhur me kërkesën e tyre për ndarjen e mandateve. "Nënkryetari Biba do të ketë kohën e nevojshme për të folur për kërkesën e 3 anëtarëve të KQZ-së për ndarjen e mandateve", tha Lleshi.

Sipas përfaqësuesit ligjor të PS-së, Genc Gjoncaj, kërkesa duhet të ishte përfshirë në rendin e ditës. "Dy anëtare kanë të drejtë të përfshijnë në rendin e ditës çështje që ata i gjykojnë të rëndësishme. Kjo çështje duhet të jetë në rendin e ditës. Ky është rasti i tretë që bëhet një gjë e tillë me justifikime të ndryshme", ka shtuar Gjonçaj.

Gjonçaj është ndalur edhe në shqetësimin për lëvizjen e popullsisë për të cilën ka thënë se në këtë rast kemi të bëjmë me ripozicionim të punonjësve të administratës.
Ndërkohë ndarja e mandateve është miratuar tashmë në Komisionin e Ligjeve sipas formulës së vitit 2009, Partia Socialiste në KQZ ka kërkuar që kjo çështje ti kthehet institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, si një çështje që mund ta zgjidhë vetëm ky institucion.

Mazhoranca në KQZ por edhe në Parlament është unanimisht dakort që ndarja e mandateve tashmë i përket Kuvendit, pasi KQZ nuk arriti të merrte një vendim me shumicë të cilësuar votash. Ndarja e mandateve nga Kuvendi duhet bërë brenda datës 7 Mars.

Gjithashtu KQZ-ja po shqyrton edhe projekt-vendimin në lidhje me strategjinë e trajnimit të antarëve të komisioneve zgjedhore dhe për modelet e vendimeve dhe dokumentacionit të punës së KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 Qershor 2013. /albeu.com/
Shtuar më 28/01/2013, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori