KQZ i hoqi mandatin, reagon ashpër deputeti i LSI-së
Gledjon Rehovica, deputeti i LSI-së të cilit KQZ-ja i hoqi mandatin pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, ka deklaruar se do të ankimojë vendimin.

Rehovica, sipas prokurorisë, nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, ndalimin nga policia italiane për vjedhje.

Duke e cilësuar skandaloze, të ndikuar politikisht dhe të pabazuar në ligj vendimmarrjen e KQZ, ai u shpreh se do ta apelojë.

"Do të apeloj vendimin e KQZ. Ishte skandaloz si vendim, i pabazuar në ligj. Vendimi politik dhe aspak profesional", tha Rehovica për Report Tv.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e dytë me 5 vota pro miratoi kërkesën e Prokurorisë për ndërprerjen e mandateve për dy deputetët, Gledjon rehovica dhe Aqif Rakipi.

Pro heqjes së mandateve votuan Klement Zguri, Bledar Skënderi, Denar Biba, Vera Shtjefni dhe Edlira Jorgaqi, Gëzim Veleshnja nga LSI nuk mori pjesë, ndërsa anëtari tjetër i PD, Hysen Osmanaj nuk ishte në mbledhjen e sotme. /albeu.com/

Shtuar më 05/01/2018, ora 16:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori