KQZ gati për zgjedhje pa opozitën, zbulon se si do t’a zëvëndësojë
Pavarësisht se opozita vazhdon protestën e saj për qeveri teknike dhe ka bërë me dije se do të bojkotojë zgjedhjet, Edi Rama, kreu i maxhorancës ka deklaruar se do të hyjë në zgjedhje me apo pa opozitën.

Kjo deklaratë e kryeministrit është pasuar nga një njoftim i KQZ, ku njoftohet se do te vendoset për emërimin e anëtarëve dhe sekretarëve, për të plotësuar vakancat për çdo KZAZ, për të siguruar ngritjen dhe funksionimin e tyre në përputhje të plotë me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.

Zëdhënësja e KQZ, njoftoi se në zbatim të afatit ligjor të përcaktuar në nenin 28, pika 1, të Kodit Zgjedhor, do të duhej të kishte marrë vendimin për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe të kishte caktuar datën për thirrjen e mbledhjes së parë të tyre.

“Shkaku që afati ligjor për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor nuk u arrit te respektohej nga KQZ, është mos përmbushja e detyrimit ligjor nga Partia Demokratike për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të dhe sekretarë të KZAZ-ve, dhe nga Partia Republikane, për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të KZAZ-ve.

Ky detyrim, i parashikuar nga neni 28, pika 2, i Kodit Zgjedhor, nuk u përmbush nga këto dy subjekte zgjedhore, madje as në tejkalim të afatit ligjor, megjithëse KQZ e toleroi këtë”- tha ajo.

Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas përmbylljes së afatit për shprehjen e interesit nga shtetas që kanë interes për t’u emëruar si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve, falenderon të gjithë qytetarët që iu përgjigjën ftesës publike për të kontribuar në administrimin e procesit zgjedhor dhe kanë paraqitur kërkesë dhe dokumentacionin përkatës pranë KQZ-së apo Zyrave Rajonale Zgjedhore.

“Pas dorëzimit nga Inspektorët Rajonalë të kërkesave të paraqitura nga qytetarët pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore, dhe shqyrtimit të të gjithë kandidaturave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rastin më të parë, me vendim do të emërojë anëtarët dhe sekretarët sipas rastit, për të plotësuar vakancat për çdo KZAZ, për të siguruar ngritjen dhe funksionimin e tyre në përputhje të plotë me përcaktimet e Kodit Zgjedhor”- deklaroi zedhenesja.

Sipas saj, në respekt të informimit të opinionit publik, procedurat e përzgjedhjes dhe të emërimit kryesisht nga KQZ të shtetasve si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve do të kryhen në transparencë të plotë, sikundër e gjithë veprimtaria dhe puna e KQZ-së për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor të datës 18 qershor 2017./albeu.com/


Shtuar më 21/03/2017, ora 12:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori