Meta: Rama përpjekje mafioze për marrjen e Kushtetueses, në 2 mars në Bulevard!

Presidenti Meta i është përgjigjur pedagogut Mark Marku i cili në emisionin “Kjo Javë” deklaroi se Rama po përpiqet të kapë Gjykatën Kushtetuese si dhe t’i kufizojë kompetencat Presidentit.

Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, shprehet se Rama nuk po përpiqet t’i kufizojë kompetencat Presidentit pasi ku nuk është problemi i vërtetë.

Sipas Metës, Rama po tenton të rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të vrasë çdo mundësi për llogaridhënie apo ndryshime demokratike.Meta ka përsëritur thirrjen e tij për të dalë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në 2 mars.

“I dashur Profesor Mark Marku! Rama nuk po përpiqet t’i kufizojë kompetencat Presidentit. Ky s’është problemi i vërtetë. Rama po përpiqet në mënyrë anti-kushtetuese e mafioze të rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë (pra vetë Kushtetutën) në mënyrë që të vrasë çdo mundësi për llogaridhënie dhe çdo mundësi për ndryshime demokratike! Ndaj në 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” jo për Presidentin, por për Shqipërinë!”, shkruan Meta.

Profesori Mark Marku u shpreh më herët se shqetësimi i presidentit është real, pavarësisht termit që Meta i vë. Ai shtoi se Rama po cënon Kushtetutën dhe po i jep goditjen e fundit presidentit.


Shtuar 22.02.2020 19:19