KQZ akoma pa vendim per Gjilanin
Albeu.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve as të martën nuk ka mundur të marrë një vendim për Gjilanin. Njëmbëdhjetë anëtarët e këtij komisioni kanë vazhduar të mbajnë pozicionet e tyre, të rreshtuar, nga njëra anë, pas PDK-së, dhe, në anën tjetër, rreth LDK-së.
Grupi i parë prej shtatë anëtarësh ka vazhduar të mbështesë qëndrimin se duhet miratuar rezultati i rinumërimit të votave për Gjilanin, që nxjerr fitues kandidatin e PDK-së Qemajl Mustafa, kurse grupi prej tre anëtarëve të tjerë, të prirë nga LDK-ja, ka vazhduar të mbrojë qëndrimin se edhe në Gjilan duhet të ndodhë rivotimi.
Asnjëri nga grupet nuk ka arritur të ketë 8 votat e mjaftueshme, për të kaluar cilindo vendim, ndërkaq që presioni sërish ka rënë mbi kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta.
Ajo ka vazhduar të mbrojë qëndrimin e saj abstenues.
Mbledhja e së martës ka qenë e mbyllur për media, ndërkaq përveç presionit për të marrë një vendim, zyrtarët e komisionit është dashur të merren edhe me gazetarët e paftuar.
Vetëm pas një insistimi të gjatë nga përfaqësuesit e medies, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushat, është bindur që të japë një prononcim.
“Në këtë takim është diskutuar lidhur me përgatitjet e raundit të ardhshëm të zgjedhjeve, të them ashtu kushtimisht. Është diskutuar lidhur me një çështje që ka të bëjë me regjistrimin e partive politike. Ndërsa për çështjen e Gjilanit jemi në konsulta, konsultat ende nuk kanë përfunduar”, ka thënë Lushta.
Sipas saj konsultimet po vazhdojnë.
Edhe kryeshefi Ekzekutiv i KQZ-së, Xhemajl Peqani, ka thënë se konsultimeve do t’u duhen disa ditë.
“Po me siguri në dy tri ditët e ardhshme do të njoftoheni, se KQZ-ja është në diskutime dhe konsultime se si do të veprojë më tutje rreth kësaj çështje”, ka theksuar Peqani.
Edhe në këtë mbledhje më i pakënaquri ka qenë përfaqësuesi i AKR-së në KQZ, Fadil Maloku, i cili ka propozuar që rasti i Gjilanit të kalojë në Gjykatë Supreme
“Unë propozova që çështja të shkojë në Gjykatën Supreme dhe Gjykata Supreme të jep mendimin meritor për këtë pat pozicion, në të cilën gjendet aktualisht Komisioni Qendror Zgjedhor”, ka theksuar Maloku.
Raporti i Qendrës së Numërimit fitues në garën për kryetar të Gjilanit ka nxjerrë kandidatin e PDK-së, Qemajl Mustafa me 51,48 për qind të votave, kurse kundërkandidati tij nga LDK, Fatmir Rexhepi, ka fituar 48,52 për qind.
Shtuar më 12/01/2010, ora 21:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori