Kozeta Kurti "hakmerret" ndaj mediave për arrestimin
Lajmi i bujshëm mbi arrestimin e gazetares Kozeta Kurti merr një rrjedhë tjetër, ndërsa ajo ka pranuar publikisht se të gjithë ata që abuzuan me shpifje mbi këtë ngjarje, do të përballen me ligjin.

Ashtu sikundër ajo e kishte konfirmuar në rrjetin social, tashmë çdo gjë do të ndiqet në rrugë ligjore. Në një intervistë të dhënë për “GSH”, ajo është rrëfyer se si e mësoi lajmin për “arrestin” e saj.

Isha me prindërit për drekë te njerëzit e tim eti, si për ditë të fundit, kur më merr im vëlla në telefon dhe më thotë, çfarë të ka ngjarë ty, sepse gazetat shkruajnë që je arrestuar për vjedhje në Itali.

Ai e kishte lexuar në portalin online të qytetit të Durrësit. M’u shemb qielli në kokë, për shkak të një ngjarjeje të një dite të kaluar, kur rastisa në qendër tregtare, ku ndodhi një vjedhje dhe pas denoncimit në polici, qëndra u izolua (aty mora vesh çfarë kishte ngjarë) dhe morën në pyetje çdo dëshmitar atje, mua dhe disa shqiptarë të tjerë krejtësisht të veçuar, sepse grupi që kishte kryer vjedhjen ishte shqiptar.

Më pyetën se përse ishaItali, a jetoja aty, pse gjendesha në atë qendër, çfarë pune bëja në Shqipëri… a i njihja njerëzit për të cilët flitej aty brënda…. Atje për hir të së vërtetës na kanë mbajtur pak gjatë, se duheshin verifikuar edhe lëvizjet e secilit”, ka deklaruar Kozeta.

“Nuk kam nevojë të jenë dashamirës me një figurë të njohur për ta, siç jam unë, apo me një kolege siç jam prapë unë, por të bëjnë punën e tyre, ABC-në e gazetarisë, duke verifikuar lajmin të paktën në dy burime. Për të mos thënë se sa të papërgatitur e sipërfaqësorë që janë, arrestohen 4 vetë dhe çuditërisht jepen vetëm të dhënat e një njeriu të njohur në Shqipëri, çka përbën një shkelje flagrante të të Drejtave të Njeriut.

Jo vetëm që unë erdha në shtëpi shëndoshë e mirë, por edhe sikur të isha arrestuar e të isha në paraburgim, në Itali japin vetëm inicialet dhe jo identitetin e plotë, sepse nëse drejtësia të shpall të pafajshëm, këtyre u kushton ndryshe, jo si te ne në Shqipëri”.

Kozeta është shprehur më tej se do tu kërkojë avokatëve të bëjë një kallëzim penal për shpifje gazetave në Shqiperi dhe në Itali.
“Një avokat italian ka marrë kontakt me gjykatën e Bergamos, në mënyrë që procesin për shpifje ta nisim pasi të përfundojë gjyqi për grupin e arrestuar në qendrën komerciale. Gjyqi është nesër (sot), sepse nuk dua të keqkuptohet asnjë lëvizje e imja, sepse nuk dua ta shoh veten me ndonjë titull tjetër: “Udhëton drejt Italisë për t’u paraqitur në gjyq…”, megjithëse besoj që kaq do ta kuptojnë gazetarët shqiptarë, që të arrestuarit nuk mund të udhëtojnë nëpër avionë, sikur të jenë duke lëvizur me makinat e policisë, e të burgjeve.

Italianëve do t’u marr paratë, shqiptarëve nderin që patën kurajën të ma marrin nëpër këmbë”, ka përfunduar ajo. /albeu.com/
Shtuar më 08/01/2015, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori