Para në këmbim të notës kaluese, pranga tre sekserëve në Elbasan
Kosta Trebicka lidhje biznesi me njeriun e KGB-se
Pëlqej
Albeu.com
E përditshmja çeke “Lidovky”, nëpërmjet një investigimi zbulon lidhjet e ngushta të Kosta Trebickës me biznesmenin irlandez Liam Lawlor i cili po ashtu humbi jetën në aksident të dyshimtë automobilistik.
Irlandezi Declan Ganley është emri më i lakuar muajt e fundit në median dhe politikën çeke, për shkak të miqësisë së tij të afërt me kryeministrin Mirek Topolanek. E përditshmja çeke “Lidovky”, ka kryer një investigim rreth profilit të “eminencës gri” pranë Topolanek, dhe ka arritur të zbardhë fije të botës së errët të krimit të organizuar e korrupsionit që kalojnë deri në Shqipëri e që sipas “Lidovky”-it, bashkohen në një emër: KGB. Sipas kësaj së përditshmeje, janë ish-agjentë të KGB-së ata që përdorin Declan Ganley, si “kukull” për të kontrolluar tregun në ish-Lindjen komuniste, por që njëherësh i kanë “dhuruar” atij statusin e biznesmenit miliarda dollarësh. “Lidovky” ka zbuluar gjithashtu se dy nga ortakët më të ngushtë të Ganley, patrioti i tij, Liam Lawlor dhe biznesmeni Kosta Trebicka sot nuk jetojnë më. Nga investigimi i kësaj të përditshmeje ka rezultuar se si Lawlor, ashtu dhe Trebicka kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme, pra të dy në aksidente të dyshimta automobilistike.

Lidhja me Trebickën
“Lidovky” shkruan se lidhja mes Ganley dhe Trebickës është kompania “Anglo-Adriatika”, e themeluar në Shqipëri në vitin 1994 dhe që ka qenë e licencuar në vendin tonë për të grumbulluar letrat me vlerë dhe për t’i futur ato në privatizim. Ganley Group, me drejtues Declan Ganley, kishte 90% të aksioneve të “Anglo-Adriatikës” dhe një prej përfaqësuesve të saj në Shqipëri ishte pikërisht Kosta Trebicka. Kur mediat shqiptare dhe ato të huaja publikuan lajmin e vdekjes misterioze në një aksident automobilistik të Trebickës, fill pasi ky i fundit denoncoi aferën shtetërore të tregtisë së armëve me kompaninë amerikane AEY, Ganley u pyet nga mediat çeke, se cilat ishin lidhjet e tij me biznesmenin shqiptar. “Lidovky” shkruan se Ganley fillimisht mohoi në mënyrë kategorike se e kishte njohur më parë Trebickën. Por, sipas kësaj të përditshmeje, pas publikimit të fakteve të pakontestueshme të ortakërisë së biznesit të tyre në Shqipëri, Ganley deklaroi se e kishte marrë vesh shumë vonë që Trebicka punonte për llogari të kompanisë “Anglo-Adriatika”, por duke insistuar se nuk e kishte takuar kurrë më parë atë. Por sipas “Lidovky”, bashkëshortja e Trebickës e pyetur nga reporterët e televizionit irlandez RTE, kishte pohuar jo vetëm që ajo dhe Kosta e njihte shumë mirë Ganley, por edhe të kishin udhëtuar disa herë së bashku. Ndërkohë, dhe vetë Kosta Trebicka, ish-anëtar i bordit drejtues të “Anglo Adriaika”, i pyetur nga një e përditshme shqiptare në muajin prill 2008, ka pohuar se vazhdonte të ruante marrëdhëniet rregullisht me Declan Ganley-n, drejtuesin e fondit “Anglo-Adriatika”. “Po, unë takohem shpesh, madje me Declan Ganleyn dhe vëllain e tij. Flasim sa të doni për fondin ‘Anglo-Adriatika’, nuk jam dakord madje që ndonjë media e ka paraqitur si biznes të lidhur me interesat greke këtë fond”, - është shprehur Trebicka aso kohe për një media shqiptare.

Lidhjet me KGB
Ganley ishte 21-vjeç, kur në fund të viteve ’80 vendosi të nisej drejt Bashkimit Sovjetik, që ishte në prag të shembjes, për të ndjekur studimet e larta për marketing biznesi. “Lidovky” shkruan se pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, oficerët e lartë të KGB-së filluan të vinin nën kontroll nëpërmjet privatizimit, pikat strategjike të ekonomisë ruse, që ishin një burim kolosal të ardhurash. Në fillim të vitit ’91, pak kohë pas ardhjes së Ganleyt në Rusi, një ngjarje e rëndë do trondiste këtë vend. Olega Zukovskeho, një nga pronaret më të mëdha të industrisë së drurit, gjendet pa jetë në fundin e pishinës së saj, e masakruar dhe me një qese plastmase në kokë. Pikërisht në këtë periudhë, Declan Ganley, i panjohur deri atëherë, do të ngjitej menjëherë në krye të listës së pronarëve të mëdhenj të industrisë së drurit. Atëherë ai ishte vetëm 21 vjeç dhe ishte pronar i një fabrike të vogël në Kipelovo, në zonën e Vologdskes. Sipas “Lidovky”-it, Ganley shprehej në mediat ruse të kohës, se zhvillimi i madh i biznesit të tij erdhi falë lehtësirave që legjislacioni i Rusisë pas Luftës së Ftohtë krijoi për investitorët e huaj. “Lidovky” sqaron sakaq, se aktualisht bashkë me Ganley, tre janë pronarët më të mëdhenj të industrisë së drurit në Rusi. Përveç tij, Ganley, dy të tjerët janë të lidhur ngushtësisht në të kaluarën me KGB-në. Një prej tyre është Irina Bitkova, ish-drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Brendshme ruse. Tjetri është Yuri Muraško, ish- oficer i lartë i ushtrisë ruse dhe koordinatori special i fushatës së kryeministrit aktual të Rusisë, Vladimir Putin.

Vdekja e Lawlor
Ish-deputeti irlandez, Liam Lawlor, njëherësh ish-ortaku i ngushtë i Declan Ganley, ka vdekur dy vjet më parë, në një aksident misterioz automobilistik. Rrethanat në të cilat ai ka humbur jetën, janë të ngjashme me ato në të cilat humbi jetën dhe ortaku tjetër i Ganley, biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka. Në tetor të vitit 2005, Lawlor u gjet pa jetë pak metra larg “Mercedesit” të tij, në kilometrin e 24-të Moskë-Leningrad. Makina e tij ishte përplasur me një barrierë betoni në anë të rrugës, ndërsa Lawlor gjendej pa jetë jashtë saj. Në vitin ’96, Lawlor ka qenë i pajtuar nga qeveria Meksi për shmangien e rënies së skemave piramidale. Lajmi u zbulua në shtator të vitit 2007, në një gjyq të zhvilluar në Irlandë, ku doli në pah një linjë bashkëpunimi mes qeverisë “Meksi” dhe kreut të “Ganley Group”, Declan Ganley. Ky i fundit kishte hyrë si ndërmjetës për të paguar disa deputetë irlandezë që të ndihmonin qeverinë shqiptare për të shmangur rënien e skemave piramidale. Nga raportimet e mediave irlandeze, zbulohet se vetë Deklan Ganley ka deklaruar para gjykatësve se ai ka sjellë në Shqipëri deputetin Liam Lawlor, ndërsa ky i fundit është paguar asokohe rreth 340 mijë dollarë nga qeveria shqiptare. (G. Shqiptare)
Shtuar më 09/12/2008, ora 14:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori