Kosoves i duhen edhe 50 njohje per t'u antaresuar ne OKB
Albeu.com
Ambasadori Uahid Uahidulah punon për OKB-në që prej vitit 1994. Ai cilësohet si arkitekti i mekanizmave zbatues të procesit të paqes në Kosovë. Në Shqipëri ka qenë ambasador i zyrës ndërlidhëse të OKB-së dhe ka ...... themeluar Akademinë Diplomatike shqiptare, si edhe shoqatën shqiptare të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2006 është dekoruar nga presidenti Moisiu me Medaljen për Merita të Veçanta Civile.
Aktualisht është anëtar i Akademisë për dialog nëpërmjet Kulturave dhe Civilizimeve me qendër në Varshavë dhe i Akademisë së tregjeve emergjente me bazë në Nju Jork.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, e ka ngazëllyer. Ai na tregon arsyet se pse.
"Nuk ka ndjesi më të mirë për një ekspert, për një specialist, kur ai sheh të realizohen tërë puna e tij, parashikimet, analizat, diskutimet dhe zgjidhjet që ai ka dhënë. Sa i takon këtij vendimi, mendoj se është një moment i madh për Kosovën dhe për serbët, për të reflektuar mbi këtë vendim. Tani ata duhet të përqendrohen për ta shpenzuar kohën më shumë rreth çështjes së destinacionit dhe integrimit euroatlantik të këtyre vendeve dhe kombeve të mëdha", deklaroi ambasadori Uahidula për Top Channel.
Në pyetjen se a mund të bëhet Kosova anëtare e OKB-së, ai u përgjigj: "Unë mendoj po. Sepse siç e dini, si me vendimin e Gjykatës si pa vendimin e saj, Kosova është një çështje që është mbështetur gjithmonë nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit. Çështja është se tani 69 vende anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sapo ky numër të shkojë në rreth 120, ne do të shohim flamurin e Kosovës të valëvitet në selinë e OKB-së. Dhe Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara".
Në vijim ai sqaroi se kur thotë 120 shtete, “në këto lloj situatash, pavarësisht mosmarrëveshjeve personale ose të së kaluarës, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit zakonisht i bashkohen këtij konsensusi, pasi nuk mund të veprojnë kundër shumicës absolute të vendeve anëtare të OKB-së dhe botës".

Si njohës i mirë edhe i realitetit në veri në Kosovës, ambasadori Uahidula shpjegon këndvështrimin e serbëve për Mitrovicën, por shton se Kombet e Bashkuara janë të prera sa i takon integritetit territorial të Kosovës.
"Unë isha shefi rajonal i zyrës së OKB-së në Mitrovicë, që ishte një nga vendet më problematike në vitin 1999, kur shkëlqesia e tij Bernard ouchner, ministri aktual francez i Punëve të Jashtme ishte administrator i Kosovës. Serbët gjithnjë e dinin që nuk mund të jetonin me shqiptarët dhe që shqiptarët nuk dëshironin të jetonin me ta, për shkak të gjithë atyre vështirësive, mizorive, gjakderdhjeve dhe problemeve për të cilat ne të gjithë jemi në dijeni. Por ata gjithmonë përdorën Kosovën dhe çështjen e Kosovës si një mjet negocimi në qoftë se do të bënim kompromis mbi çështjen e integritetit të Kosovës dhe t'u jepnim atyre Mitrovicën e Veriut, përtej lumit Ibër. Ne e kemi bërë shumë të qartë që prej vitit 1999 e deri tani se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të komprometoheshin kurrë, as në shkëmbim me ndonjë marrëveshje. Pra, ky është problemi, Mitrovica e Veriut është një nga zonat më të pasura me resurse e Kosovës, ajo është ‘ajka’ e Kosovës, mbi të cilën Kosova do të varej shumë ekonomikisht. Në qoftë se do të kishim negociuar mbi këtë çështje, ata, pra serbët, do të kishin hequr dorë kohë më përpara dhe Kosova do kishte qenë tashmë një shtet i pavarur, me flamurin e saj mbi ndërtesën e selisë së Kombeve të Bashkuara në New York", përfundoi ambasadori Uahedulah.
Shtuar më 26/07/2010, ora 09:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori