Kosove, tre ministra pranojne se kane marre nga 13 mije euro retroaktive
Albeu.com
Pas nëntë vjetësh si deputet, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi do të futet në Kuvendin e Kosovës vetëm si kryeministër vendi. Ai ka vendosur ta dorëzojë mandatin e deputetit vetëm pak ditë pasi ishte kritikuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi se ...... brenda dy vjetësh i ka marrë dy vendime të kundërligjshme përkitazi me pagesat mujore të ministrave-deputetë. Dorëheqjen nga posti i deputetit Thaçi e ka bërë publike me anë të një letre, që ia ka drejtuar Krasniqit, një ditë më herët, shkruan Koha Ditore e së shtunës. Shefi i Qeverisë e ka arsyetuar këtë akt, me përkushtimin që ka për t’i përmbushur në mënyrë sa më efikase të gjitha detyrat që i ka si kryeministër.

Gazeta ka mësuar se me këtë vendim është njoftuar të enjten në mbrëmje edhe presidenti Fatmir Sejdiu. Kreu i shtetit, konform kompetencave të tij kushtetuese, do të duhej ta emërojë Abdyl Imerin në vendin e liruar në Kuvend nga kryetari i PDK-së. Imeri që nga viti 2007 e kryen funksionin e nënkryetarit të Komunës së Skenderajt.

Sakrifikimi i postit të deputetit nga ana e Thaçit ka ardhur pikërisht në kohën kur partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile janë duke vazhduar të kritikojnë anëtarët e Qeverisë se kanë marrë paga retroaktive për dy vjet.
Krejt kjo për faktin se shefi i Qeverisë, më 4 dhjetor, ka marrë vendim që 13 anëtarëve të kabinetit qeveritar, përfshirë veten e tij, t’u kompensoheshin retroaktivisht gjysmat e pagave mujore që ligjërisht u kanë takuar t’i merrnin në cilësinë e deputetëve, nga janari i vitit 2008. Në bazë të këtij vendimi, shumica e ministrave-deputetë i kanë marrë në mënyrë retroaktive përafërsisht nga 13 mijë euro. Dy vjet më herët, përkatësisht në fillim të mandatit qeverisës, ai ua kishte ndaluar të gjithë qeveritarëve-deputetë që të merrnin paga edhe nga Qeveria, edhe nga Kuvendi.

Si vendimi për ndalim të pagës së dyfishtë, ashtu edhe vendimi për lëshim të pagesës retroaktive janë kritikuar nga kryeparlamentari Krasniqi. Ai ka thënë se kryeministri nuk është dashur t’ua ndalonte ministrave që ta marrin 50% të pagës së deputetit, për sa kohë që ligji ua lejon këtë gjë. I kundërligjshëm, sipas tij, është cilësuar edhe vendimi për pagesë retroaktive, për faktin se mjetet që është dashur t’i merrnin ministrat për dy vjet janë shpenzuar për qëllime të tjera. Ai ka bërë të ditur se Kuvendi nuk ka para për t’ua dhënë ministrave 50 % të pagës së deputetit, pasi pagesa e tyre nuk është paraparë gjatë planifikimit të buxhetit të Kuvendit për këtë vit. Pagesa e 50-përqindëshit të pagës së deputetit për këtë kategori të zyrtarëve parashihet t’i shkaktojë telashe buxhetit të Kuvendit të Kosovës për së paku 200 mijë euro.

Kryeministri Hashim Thaçi as të premten nuk ka pranuar se vendimi i tij i 4 dhjetorit është implementuar, ndonëse, së paku tre nga anëtarët e kabinetit të tij qeveritar kanë pranuar për “Kohën Ditore” se i kanë marrë gjysmëpagat e deputetit për dy vjet.
“Ju e dini, tashmë unë nuk jam deputet qe një kohë”, ka thënë Thaçi, kur është pyetur nëse vendimi i tij është jetësuar.
Megjithatë, as Thaçi nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që të ketë përfituar njësoj si vartësit e tij. Ai ka ripërsëritur deklaratën e mëhershme se mund të jetë bërë ndonjë lëshim teknik rreth pagave retroaktive, duke e lënë të mjegullt se çka në fakt do të ndodhë me ato paga.
“Unë e kam deklaruar edhe më herët se çdo lëshim teknik që ka ndodhur do të evitohet”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe prej tij, disa prej ministrave që vazhdojnë të jenë deputetë të Kuvendit të Kosovës, nuk e kanë mohuar se kontot e tyre janë rënduar për mbi 13 mijë euro.
“E vërteta është se i kam marrë paratë qysh javën e kaluar”, ka thënë një ministër, me kusht që të mos i përmendet emri në gazetë.
Ky ministër e ka arsyetuar anonimitetin me faktin se nuk dëshiron të ketë telashe me shefat në Qeveri.
“Përderisa shefat nuk po pranojnë se pagat retroaktive janë lëshuar, nuk dëshiroj që unë ta marrë përsipër këtë barrë. Unë as nuk kam kërkuar që të më paguhet paga e deputetit, e as nuk jam pyetur për këtë çështje nga askush”, ka thënë ai.

Arsyetime pothuajse të njëjta kanë dhënë edhe dy ministra të tjerë. Njëri prej tyre është shprehur i habitur pse në Qeveri nuk është duke u bërë publike kjo gjë.
“Më mirë do të kishte qenë sikur publikisht të thuhej se janë lëshuar paratë, sesa të mbetej e paqartë kjo çështje, dhe si rrjedhojë opinioni të lihet në kërkim të së vërtetës”, ka thënë ky ministër.

Jozyrtarisht mësohet se pagat retroaktive të qeveritarëve-deputetë, të cilat janë llogaritur për periudhën janar 2008, janar 2010, i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 150 mijë euro. Kësaj shume parashihet t’i shtohen edhe pagat e deputetit që do t’i marrin ministrat këtë vit. Me vendimin e kryeministrit të 4 dhjetorit është paraparë që mjetet financiare për pagat retroaktive të sigurohen nga fondi rezervë i Qeverisë. Kryeministri Thaçi të paktën nuk do të jetë ngarkesë për buxhetin e Kuvendit të Kosovës.

Si kryetar i partisë më të madhe në vend, ai e ka mbajtur postin e deputetit që nga krijimi i legjislaturës së parë, e cila është krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2001.

Praktika e dorëzimit të mandateve të deputetit nga ana e personaliteteve partiake dhe qeveritare nuk është e re. Ish-kryetari i Partisë së Drejtësisë, Sylejman Çerkezi e pati dorëzuar këtë mandat dhe në vend të tij pati shkuar kryetari aktual i PD-së Ferid Agani. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit parlamentare, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për shkak të procesit gjyqësor në Tribunalin e Hagës, ia pati liruar vendin deputetit të tanishëm Ethem Çeku.

Në aspektin juridik është e lejueshme që një anëtar i kabinetit qeveritar të jetë njëkohësisht edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Pozitat e dyfishta të zyrtarëve qeveritarë pritet të shuhen tek pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kështu parashihet me dispozitat kalimtare të Kushtetutës së Kosovës. Deri në zgjedhjet e reja mbetet në vullnetin e qeveritarëve nëse duan ose jo t’i lirojnë karriget në Kuvend. Ministrat e PDK-së të paktën tash kanë ku të marrin shembull. Ata të LDK-së kanë pasur rastin që ta demonstrojnë të njëjtin veprim pas zgjedhjeve të fundit lokale, por nuk e kanë bërë këtë gjë. Ministri për Tregti dhe Industri, Lutfi Zharku nuk është treguar i gatshëm që ta mbajë vetëm postin në Qeveri, por e ka marrë edhe postin e deputetit pas fitores së Agim Veliut për kryetar të Komunës së Podujevës. (koha)
Shtuar më 14/02/2010, ora 00:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori