Kosovë, po rritet çmimi për shtet
Albeu.com
Bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë ndarje të Kosovës, edhe pse për Mitrovicën nuk ka ndonjë plan konkret e të veçantë. Komunat e reja duhet të kenë të paktën 70 për qind të popullatës të një etnie nacionale, ashtu siç do të mund të kenë lidhje speciale mes vete.Kishat e manastiret do të trajtohen veçan, ndërsa financat do të konsiderohen si donacione. Asgjë nga ajo si pretendon pala kosovare

Shumë gjëra tashmë janë të qarta. Decentralizimi për Kosovën, siç thuhet, po del si një dardhë me bisht. Komunat e reja do të mund të funksionojnë me lidhje të posaçme mes vete, qoftë edhe duke krijuar asociacione. Ato do të mund të gëzojnë financa nga ndonjë vend tjetër, ndonëse do të trajtohen si donacione.
Manastiret ortodokse serbe do të kenë status të veçantë territorial e administrativ, ndërsa një komunë, sipas propozimit të palës serbe dhe përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, do të jetë e banuar nga 70 deri në 80 për qind me qytetarë të një etnie.
Te kjo çështja e fundit, Serbia fsheh aspiratën për të populluar pjesë të caktuara me serbë, që ende jetojnë si refugjatë në Serbi, dhe aty ku mund të dominojë etnikisht.
Albert Rohan, zëvendëskryenegociator për statusin e Kosovës, tha se nuk mund të dirigjohet askush se ku do të jetojë, megjithëse shtoi se është kundër lëvizjes së popullatës.
“Nuk mendoj se është lehtë që t’i shtyjmë njerëzit të lëvizin prej një vendi në një vend tjetër, në mënyrë që të arrihen disa përqindje. Gjithnjë e kam përjashtuar idenë që të kthyerit duhet të jenë në gjendje jo vetëm që të kthehen aty prej ku kanë ardhur, por edhe në vendin e zgjedhjes së tyre. E di se kjo nuk është në pajtim me pikëpamjet e të tjerëve, por mendoj se në një shoqëri civile njerëzit mund të zgjedhin se ku do të jetojnë”.
Të gjitha këto, por edhe shumë çështje të tjera, që vazhdimisht janë kundërshtuar nga pala kosovare, janë thënë troç nga Rohan, në një konferencë për media të mbajtur në objektet e UNMIK-ut.
“Do të lejohen partneritete në mes komunave, që të bashkëpunojnë për çështje konkrete, arsimim, shëndetësi, kulturë dhe gjithashtu të lejohet themelimi i asociacioneve të komunave dhe të gjitha këto parashihen në Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale”.
Megjithatë Rohan tha se nuk do të ketë autonomi për askë në Kosovë. Përkundër asaj që pala kosovare nuk ka treguar ndonjë qëndrim rreth dokumentit që Rohan ka sjellë në Kosovë dhe që përmban disa nga këto çështje, diplomati austriak tha se nuk ka arsye të presë që të ketë një refuzim nga pala kosovare.
Rohan po ashtu tha se Kosova në asnjë mënyrë nuk do të pësojë ndarje.
“E kemi bërë të qartë se kjo nuk do të thotë krijim i një identiteti të veçantë, i cili do të ndahet nga strukturat ligjore të Kosovës. Ne do të kundërshtojmë çdo ndarje të Kosovës dhe gjithashtu do të kundërshtojmë çdo nivel të tretë të qeverisjes mes autoriteteve qendrore dhe komunave dhe çdo gjë në këtë dokument bazohet në këto parime”.
Rohan tha se bashkësia ndërkombëtare dëshiron që t’u japë komunave maksimumin e kompetencave dhe ato duhet të jenë në gjendje që të udhëheqin punët e tyre gjithnjë në kuadër të kufizimeve të sistemit ligjor të Kosovës, si dhe në përputhje me Kartën e Evropës për Vetëqeverisje Lokale të Këshillit të Evropës. Ai tha se për këto çështje do të diskutohet në takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 3 prill.
“Dhe do të përpiqemi që të pajtohemi për të gjitha këto. Pasi ta kryejmë këtë, do të vazhdojmë me shqyrtimin e çështjes së kufijve komunalë”.
Edhe për këtë çështje Rohan ka lëshuar në dorë një patate të nxehtë për palën e Kosovës.
“Nuk do të lejojmë krijimin e një numri komunash të reja të vogla. Pra dëshirojmë që të kemi një komunë e cila do të jetë mjaft e madhe, me një përqindje të qartë të shumicës së një grupi etnik 70 deri ne 80 për qind. Kjo është dëshira e palës serbe, të cilën ne e përkrahim në kuadër të kufizimeve të cilat i përmenda me herët”.
Për kishat dhe manastiret, Rohan tha se është e vërtetë se ato monumente janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, por pikë së pari, sipas tij, janë trashëgimi e kishës ortodokse serbe.
”Dhe dëshirojmë që kisha ortodokse serbe të jetë në gjendje të mbijetojë. Pra manastiret siç janë ai në Deçan, Pejë etj, çfarëdo që të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, ato duhet të jenë në gjendje te vazhdojnë të punojnë dhe të jetojnë këtu”.
Rohan shkurtazi ka folur edhe për takimet e tij me serbët e Kosovës që jetojnë në veri. Zëvendëskryenegociatori nga serbet e veriut kishe marrë qëndrimin e prerë se nuk do të jetonin në Kosovë, nëse ajo do të pavarësohej.
“Unë u thashë se ky është mendimi juaj, sepse nuk mund ta ndalim askë”.
Ndonëse ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë ndarje të Kosovës, Rohan nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë sesi parashihet integrimi i veriut të Mitrovicës, që jeton ndaras tash e shtatë vjet.
“Ne parashohim që të vazhdojmë me Mitrovicën si komunë sikurse në komunat e tjera”.
EJUP GOJNOVCI, Lajm
Shtuar më 01/04/2006, ora 11:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori