Kosove, partneret e koalicionit pergatiten per ndryshime
Albeu.com
Partnerët e koalicionit qeverisës PDK - LDK janë duke u përgatitur që t’i përgjigjen njëri - tjetrin në çfarëdo rrethane që mund të krijohet pas raundit të tretë të zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit dhe në atë të Lipjanit, shkruan sot në një artikull më të gjatë Koha Ditore.Derisa PDK-ja mban primatin në skenën politike vendëse, LDK-ja është duke synuar që ta shtojë fuqinë e saj si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të krijojë një pozicion më të favorshëm në kuadër të partneritetit qeverisës.

Pas koalicionit me shtatë deputetë të partive minoritare, kjo parti pretendon se ka arritur të sigurojë një ekip prej 33 deputetësh të cilët do të kenë qëndrim të unifikuar karshi rrethanave që mund të krijohen pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Veç këtij fronti, zyrtarë të lartë të LDK-së, llogarisin që në rrethana të caktuara do të kenë mbështetjen e së paku pesë deputetëve të LDD-së, si dhe të 13 deputetëve të AAK-së. Mbi bazën e këtyre kalkulimeve, llogaritet që LDK-ja të krijojë një front prej 51 deputetësh. Me rritjen e supozuar të mbështetjes parlamentare, LDK-ja llogarit t’i barazojë fuqitë me PDK-në. Aktualisht, PDK-ja e ka në Kuvend një grup prej 35 deputetësh, pa i llogaritur aleatët e saj minoritar. Me Grupin 7+, dhe Grupin SLS, partia e kryeministrit Hashim Thaçi, mbledh rreth vetës 48 deputetë. Ky numër, mund të rritet për 10 nëse, gjatë ndonjë ballafaqimi të mundshëm me LDK-në, i ofrohet në mbështetje AKR-ja.

Një zyrtar i lartë i LDK-së në kushte anonimiteti ka bërë të ditur se në rritjen e fuqisë së LDK-së është angazhuar edhe vetë presidenti, Fatmir Sejdiu.
“Para dy dite, presidenti Sejdiu personalisht i ka pritur deputetët minoritarë dhe me ta ka diskutuar rreth marrëveshjes për koalicion parlamentar”, ka thënë ky zyrtar.

Këtë takim nuk e ka mohuar as këshilltari i presidentit Sejdiu, Xhavit Beqiri, mirëpo ai e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike pohimin se presidenti e ka shfrytëzuar pozitën e tij për qëllimi partiake.
“Është e vërtetë se presidenti Sejdiu është takuar me grupin e deputetëve minoritarë, mirëpo takimi është bërë me kërkesë të deputetëve, të cilët janë kryesuar nga Branislav Gërbiq”, ka deklaruar të shtunën Beqiri. Burimet e gazetës kanë njoftuar se presidenti Sejdiu ka zhvilluar takime edhe me personalitete politike dhe të shoqërisë civile që për fokus kanë pasur rritjen e fuqisë së LDK-së.

Këshilltari Beqiri e ka pranuar edhe këtë fakt, por prapë ka hedhur poshtë temën e diskutimit.
“Realisht, ka një numër jashtëzakonisht të madh të të interesuarve për t’u takuar me presidentin. Por, e them me përgjegjësi të plotë se presidenti në çdo takim nuk ka pranuar të interferojë nga veprimet politike të një subjekti të caktuar”, ka thënë Beqiri.

Sa herë që vizitorët kanë shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim apo kooperim me LDK-në, sipas Beqirit, presidenti Sejdiu i ka orientuar ata nga Kryesia e LDK-së.

Brenda LDK-së është konfirmuar se ditëve të fundit janë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike jashtëparlamentare, por ende nuk është arritur të konkretizohet ndonjë marrëveshje.

Oferta më serioze thuhet se i është bërë Partisë Reformiste ORA, për faktin se kësaj partie i janë ofruar dy poste në Kryesi të LDK-së, si dhe poste të tjera në nivel zëvendësministrash. Por, sipas një zyrtari të LDK-së, kushti i drejtuesve të ORA-s, ka qenë marrja e njërit nga postet e nënkryetarëve të LDK-së. Ai ka sqaruar se edhe LDK-ja i ka vënë kusht ORA-s që ta shkrijë programin e saj në atë të LDK-së.

Kryetarja e Partisë Reformiste ORA, Teuta Sahatçia, e ka pranuar se strukturat e ORA-s kanë biseduar me ato të LDK-së, por nuk ka parapëlqyer të flasë rreth detajeve të ofertave të ndërsjella që janë shtruar gjatë bisedimeve.
“Ne kemi pasur ofertë nga LDK-ja, por nuk kemi bërë asnjë marrëveshje me këtë parti. Dhe, për sa kohë që nuk ka diçka konkrete, të gjitha ato që janë diskutuar mbesin opsione në ajër”, ka thënë Sahataçia.

Ajo ka thënë se është kontraproduktive të flitet për ofertat e LDK-së, në kohën kur partia është duke i shqyrtuar opsionet se si mund të vazhdojë rrugëtimin e saj politik.
“Jo me larg se sot, ne kemi mbajtur mbledhje dhe i kemi shqyrtuar mundësitë e mbajtjes së partisë. Tek atëherë kur të shteren këto mundësi, strukturat e ORA-s do të vendosin se si duhet vepruar më tutje”, ka deklaruar kryetarja e ORA-s.
Drejtuesit e LDK-së, nga ana tjetër janë optimistë në rritjen e fuqisë së partisë. Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, është shprehur me optimizëm se fuqizimi i LDK-së do të reflektojë edhe në punën e institucioneve.
“Partneriteti ynë ka kuptim të gjerë: partneritet për institucione qendrore, partneritet për institucione lokale dhe partneritet për jetën në përgjithësi”, ka thënë Haziri.
Ndryshe nga LDK-ja, partnerja e saj PDK, energjitë me të mëdha të saj i ka orientuar nga fitorja e Komunës së Prizrenit.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, të shtunën, as që ka dashur të flasë rreth koalicioneve që është duke i bërë LDK-ja me minoritarët.
Mosdeklarimin për këtë çështje ai e ka arsyetuar me heshtjen zgjedhore. Vetëm dy ditë më herët, Kuçi e ka cilësuar koalicionin aktual si stabil, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që nga partitë e ndryshme të bëhen kalkulime për një qeveri të re, të cilat më tepër ka preferuar t’i quajë si “lojëra” politike. Ai ka thënë se lojërat e tilla, do të bëhen më atraktive me afrimin e kohës për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.
“Unë besoj se mungesa e identiteteve dhe besimit në vetvete është më shumë kërkesë për koalicion se sa parimore”, ka deklaruar Kuçi.

Megjithëse vazhdon të jetë partia më e madhe në vend, PDK-ja ka nisur ta zvogëlojë fuqinë e grupit parlamentar në Kuvend. Largimi i Emrush Xhemajlit dhe i Naim Rrustemit nga grupi i kësaj partie, ka bërë që PDK-ja, t’i ketë 35 ulëse në Kuvend, nga gjithsej 37 që i ka pasur në fillim të mandatit.

Jozyrtarisht, një nga deputetët e pavarur të Kuvendit të Kosovës ka thënë se dy deputetëve që vijnë nga partitë partnere të PDK-së, Edita Tahiri dhe Kaçusha Jashari, u është bërë ofertë për ta lënë grupin e PDK-së dhe për t’iu bashkuar një grupi të ri parlamentar.
“Ka qenë një nismë që të formohet një grup i ri parlamentar në përbërje të të cilit do të ishin: Emrush Xhemajli, Naim Rrustemi, Driton Tali, Edita Tahiri, Kaçusha Jashari, Numan Baliqi dhe Vezira Emrush”, ka thënë ky deputet.
Derisa për Tahirin është thënë se nuk ka dhënë përgjigje definitive nëse do të pranonte ose jo, që të bëhet pjesë e grupit të ri parlamentar, për Jasharin është thënë se ka qenë e gatshme për ta lëshuar PDK-në.

Por, nënkryetarja e Partisë Socialdemokrate, Kaçusha Jashari, e ka mohuar këtë gjë. Ajo ka thënë se ka qenë e informuar në lidhje me iniciativën për formimin e një grupi parlamentar, por asnjëherë nuk ka pranuar të bëhet pjesë e tij. (koha)
Shtuar më 01/02/2010, ora 15:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori