Kosove, miratohet ne parim Projektligji per ndryshimin dhe plotesimin e buxhetit
Albeu.com
Pasi që ka dëgjuar për disa orë rresht deputetët e Kuvendit të Kosovës duke lavdëruar dhe duke kritikuar Projektligjin për ndryshimin e buxhetit për vitin 2010, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ...... marrë fjalën për t’iu treguar ligjvënësve se këto janë mundësitë e Kosovës dhe se është duke u bërë më e mira e mundshme.

Megjithëse gjatë debatit, deputetët e opozitës kanë drejtuar akuza të ndryshme në drejtim të Qeverisë, për diskriminim të qytetarëve të vendit, duke drejtuar investimet vetëm në komunat ku qeverisë PDK-ja, Thaçi ka gjetur forcën që t’i falënderojë të gjithë ligjvënësit për debat konstruktiv, mbështetës dhe plotësues.

Ai ka thënë se rishikimi i buxhetit është një mundësi për qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik.

“Dëshiroj t’ju falënderoj për të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet tuaja dhe ju ftoj të gjithëve që ta votoni këtë rishikim të buxhetit. Këto janë mundësitë tona, jemi duke e bërë punën më të mirë të mundshme”, ka thënë Thaçi.

Dhe vërtetë kjo i ka ecur, ngase 85 deputetë të pranishëm në sallë 65 kanë votuar për, 15 kundër dhe 6 kanë abstenuar për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit, për të cilin tani janë ngarkuar Komisioni për buxhet dhe financa dhe komisionet e përhershme që sa më shpejtë të sjellin në Kuvend, raportin me rekomandime.

Gjatë rishikimit të buxhetit, ligjvënësit nga opozita kanë akuzuar Qeverinë për orientim të investimeve vetëm nëpër komunat ku qeverisë PDK-ja. Për këtë zërin më së shumti e kanë ngritur deputetët e AAK-së, të cilët kanë thënë se komunat e drejtuara nga partia e tyre, janë lënë tërësisht anash.

Ndërkohë kishte kritika për lënie në harresë edhe të fshatrave kufitare me Serbinë, nga të cilat po largohen banorët dhe fajtore për këtë, sipas opozitës, është pikërisht Qeveria, e cila nuk po investon sidomos në infrastrukturën rrugore.

Në shumë raste të debateve, ishin dy komunat e Drenicës, Skënderaj dhe Drenasi, ato që ishin në fokus të kritikave të deputetëve të opozitës, sipas të cilëve, në këto komuna Qeveria ka investuar shumëfish më shumë se në komunat tjera, për arsyen e vetme se krerët e saj vijnë nga këto komuna.

Por përfaqësuesit e këtyre komunave në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë të qartë se në 8 vjetët e pasluftës në këto komuna nuk ka pasë asnjë investim.

Sido që të jetë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit ka marrë mbështetjen e shumicës, përfshi edhe LDK-në, e cila kishte kushtëzuar votën e saj në rast se nuk procedohet në Kuvend Projektligji për Prishtinën, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare dhe sipas shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ky projektligj mund të miratohet në parim para pushimeve të verës, ndërkaq do të shqyrtohet për herë të dytë në fillim të sesionit të ardhshëm vjeshtor.

Në seancën e sotme, ligjvënësit kanë ngritur shqetësimin edhe për plagosjen e shefit të Grupit Parlamentar të SLS-së, Petar Miletiç, i cili të hënën rreth orës 8 para shtëpisë së tij në Mitrovicë ka marrë plagë nga armë zjarri, mirëpo gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

Kuvendi ka kërkuar nga Qeveria dhe EULEX-i që të garantojë zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës. (kosovapress)
Shtuar më 05/07/2010, ora 22:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori