Kosove kujdes, po vjen Mishkovici
Pëlqej
Albeu.com
Multimilioneri 62-vjeçar nga Serbia, Miroslav Mishkoviq, partner i Damir Fazllic, i cili është radhitur nga revista Forbes në listën e parë të pasanikëve në botë, ia ka mësyrë tregut kosovar.
Pikënisje do të jetë një qendër tregtare në veri të Mitrovicës, në Zveçan, përmes kompanisë tregtare Delta Group. Miroslav Mishkoviq ka qenë ndër njerëzit e parë të pushtetit në kohën e Sllobodan Millosheviçit. Nga mediat serbe ai është konsideruar si njeriu që ka blerë pasurinë e Serbisë në tregun e lirë. Në vitin 2006 ai ka ateruar në Maqedoni duke bërë rreth 113 milionë euro investime në biznes. Sivjet, ai furishëm është futur edhe në Shqipëri. Në gusht ka blerë disa supermarketet në Tiranë dhe tash është pronar i një rrjeti supermarketesh të mëdha në tërë Shqipërinë. Së fundi syrin e ka edhe te Kosova. Mediat serbe dhe boshnjake kanë shkruar se Mishkoviç është partner me milionerin Damir Fazlliç, i cili para disa ditësh e çoi peshë Shqipërinë. Ata konsiderohen njerëzit kryesorë të biznesit në Ballkan. Fazlliç tash është në tregun kosovar duke shitur energji elektrike Korporatës Energjetike të Kosovës, afër 30 për qind të importit vjetor, përmes kompanisë Rudnap Group. Kompania Rudnap para një muaji ka qenë fituese e tenderit për import të energjisë elektrike. E njëjta kompani, me përfaqësues Damir Fazlliçin, u zbulua se edhe Shqipërinë e ka furnizuar me energji elektrike. Miroslav Mishkoviq, në vitin 2007 kishte 1 miliard dollarë fitime neto. Ai u laureua për ekonomi. Ka qenë qeveritar në regjimin e Millosheviçit dhe e la atë për të themeluar "Delta M", një kompani holding për sigurime, bankingun dhe rrjetin e supermarketeve. Sipas mediave serbe, shkronjën M kompanisë ia ka shtuar në shenjë respekti ndaj familjes Millosheviq. Këtë rrjet ai po mendon ta shtrijë edhe në Kosovë. Gjatë luftërave në Ballkan, Mishkoviç e zhvendosi selinë e kompanisë në Moskë, Kiev dhe Qipro. Në vitin 2001 u mor peng dhe u lirua pasi kishte paguar rreth 10 milionë dollarë për anëtarët e Klanit të Zemunit. Kundërshtari i tij Vladimir Popoviç, ndihmës i ish- kryeministrit Zoran Xhinxhiç, në një intervistë të dhënë kohë më parë në një gazetë boshnjake, ka thënë se nëntoka kriminale i lidh Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin. "Fazlliç është mjeshtër i mashtrimeve, e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan, prandaj ai dërgon atë kriminel të vogël që në emrin e tij t'i mbarojë punët më të ndyta korruptive prej Shqipërisë e deri në Bosnjë", pati thënë Popoviç. "Slobodna Bosna" jep skemat e bashkëpunimit të magnatit serb Mishkoviç me bosin e "Rudnap" Lazareviç, që ka sjellë energji elektrike për Shqipërinë dhe Kosovën përmes ndërmjetësuesit Fazlliç. Pronar legjitim i Rudnap Group ishte Lazareviç, i cili është ngritur në biznes si tregtar energjie dhe partneri i tij kryesor është Damir Fazlliç, me të cilin kanë krijuar një rrjet të fortë me politikanë, biznesmenë dhe shoqata mediash në Serbi, Bosnje dhe vende tjera të Ballkanit. Këtu e një vit më parë, Fazlliç ishte konsulent për privatizimin e "Investicijska Bank" dhe përgatiti privatizimin e kompanive më të mëdha shtetërore të Bosnjës. Mishkoviçi, sipas mediave serbe, është njeriu kryesor që e bleu Serbinë në treg të lirë. Kjo e bënë atë njeriun më të pasur në këtë shtet dhe ndër më ta pasurit në Evropë. Ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2007 ambasada amerikane në Beograd refuzoi ndërmjetësimin e Mishkoviçit për bisedimet mbi Kosovën, në këmbim të heqjes së emrit të tij nga lista e zezë e SHBA -ve. Sipas medieve serbe, ai është i gatshin të ushtrojë influencë mbi ministra kyç në qeverinë serbe për një politikë të butë shtetërore ndaj Kosovës. (koha/albeu)
Shtuar më 24/11/2008, ora 06:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori