Kosove, fituesit e zgjedhjeve presin urimet e humbesve
Albeu.com
Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ai i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja që të dy nga PDK-ja nuk do të marrin urimet për rizgjedhje nga rivalët e tyre nga LDK-ja derisa KQZ-ja të mos i certifikoj rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 31 janarit.Madje përveç kësaj kundër kandidati i Mujës, Hanefi Muharremi nga LDK-ja një ditë pas rivotimit në Prizren, e ka quajtur garën jo të barabartë me rivalin Ramadan Muja nga PDK-ja, i cili doli fitues i zgjedhjeve në Prizren. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja fitoi 53,2 për qind të votave në Prizren dhe 53,7 për qind të votave në Lipjan. Por Muharremi thotë të ketë humb garën ngase nuk kanë mund të ballafaqohet me një qeveri të tërë, që është angazhuar në anën e Mujës. “Ka qenë një Qeveri e tërë në anën e Mujës, kryeministri e ministra, dhe nuk ka qenë një fushatë e barabartë”, ka thënë Muharremi. Ndërsa, Nijazi Kryeziu, nga Shtabi Elektoral i PDK-së nuk i ka komentuar deklarimet e zyrtarëve të LDK-së për një fushatë jo të barabartë, por vetëm ka thënë se “PDK-ja e ka bërë fushatën e ndershme dhe ka përdorë mekanizma legjitim”. Por Hanefi Muharremi nuk e ka ndërmend që ta uroj rivalin e tij për rizgjedhje derisa KQZ-ja të mos i certifikoj rezultatet finale. “Edhe mos me ja uru nuk është ndonjë fitore e ndershme”, është shprehur Muharremi, sipas të cilit PDK-ja ka shpenzuar shumë buxhet për këtë fushatë për të cilën zyrtarë të Shtabit Elektoral të LDK-së nuk kanë planifikuar të bëjnë ndonjë ankesë pasi që sipas tyre LDK-ja është duke e analizuar ende procesin zgjedhor. “Nuk kemi evidentuar diçka, nuk di çka të them. Në mënyrë profesionale dhe të organizuar kanë punuar dhe të gjitha mekanizmat i kanë shfrytëzuar’, është shprehur Ridvan Hoxha, shef i SHE të LDK-së në Prizren. Në anën tjetër, Ymer Berisha, këshilltar i Mujës, ka thënë se “kryetari është duke pritur që kundër kandidati nga LDK-ja t’ia urojë fitoren, ngase ka qenë edhe premtim i tij në fushatë”.

Ndërkohë nga tabori tjetër, Dega e LDK-së në Lipjan, Sefer Tasholli, shef i shtabit elektoral të kësaj partie ka thënë se rezultatet e rivotimit nga ky subjekt do të pranohen vetëm atëherë kur të bëhet certifikimi i tyre. “Duhet pritur rezultatet përfundimtare dhe certifikimin e tyre nga KQZ-ja në mënyrë që ne t’i pranojmë rezultatet, sepse tashmë është herët, ne ende nuk i kemi grumbulluar të gjitha të dhënat tona, ndërsa sipas afatit ligjor edhe do të bëjmë ankesa në KZAP për disa parregullsi që ne i konsiderojmë se kanë ndodhur gjatë procesit”, ka thënë Tasholli. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Buja (PDK) ka fituar 53.7 për qind të votave, ndërsa Ahmeti (LDK) 46.3 për qind të tyre.
Shtuar më 02/02/2010, ora 17:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori