Kosovaret i thane JO planit gjashtepikesh
Pëlqej
Albeu.com
Dhjetëra mijëra qytetarë nga të katër anët e Kosovës i kanë thënë jo planit 6 pikësh të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, në një demonstratë të organizuar të mërkurën në Prishtinë nga dhjetëra organizata dhe lëvizje të ndryshme joqeveritare.Nën moton “Ta mbrojmë sovranitetin”, demonstruesit kanë përshkruar një rrugë prej Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në shenjë reflektimi për vetëdijen e popullit, deri te Kuvendi i Kosovës që tregon institucionet legjitime të vendit, për t’u ndalur në fund te ndërtesa e UNMIK-ut.

Demonstruesve u janë drejtuar, Xhavit Jashari, në emër të shoqatave të dala nga lufta, Alban Bokshi nga organizata “Çohu” dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ata kanë potencuar se detyrë e institucioneve është të mbrojnë Kushtetutën e vendit, ndërsa pranimi i planit gjashtëpikësh do të shndërronte pavarësinë e Kosovë në farsë, sepse nëpërmjet këtij plani Serbia po tenton të rikthehet në Kosovë.

Demonstruesit do të përshkojnë trajektoren në formë të shkronjës S, që simbolizon sovranitetin e Kosovës.

Për këtë demonstratë janë bashkuar Lëvizja Vetëvendosje!, Çohu, Thirrjet e Nënave, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, Rrjeti Rinor i Kosovës, Aksioni Qytetar FOL'08, CBM-Mitrovicë, Iniciativa për Progres dhe shumë organizata të tjera.

Protesta vjen në kohën kur Prishtina zyrtare gjendet nën presion diplomatik për të pranuar planin 6 pikësh të kreut të OKB-së, Ban Ki-Moon për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Plani është hedhur poshtë nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës, të cilët kanë mbetur të hapur për bisedime, pas paraqitjes së dokumentit të tyre prej katër pikash. (Telegrafi)
Shtuar më 19/11/2008, ora 20:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori