Kosovarët duan largimin e UNMIK-ut
Albeu.com
Qytetarët e Kosovës ndjejnë nevojën e largimit të UNMIK-ut nga Kosova pas datës 15 qershor, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.Ata thonë se, edhe nëse misoni i Kombeve të Bashkuara vazhdon të qëndrojë në vend pas kësaj date, ai duhet të ketë një rol i cili e përjashton këtë mekanizëm nga procesi i politikbërjes.

"Jo nuk mendoj se duhet të qëndrojë në Kosovë. Deri tash nuk u tregua i suksesshëm, andaj duhet të ec", tha një qytetar.

“Unë mendoj se pas 15 qershorit, UNMIK-u nuk do të duhej të vazhdonte pasi që e dimë se me këtë datë përfundon edhe faza e tranzicionit. Qeveria do t'i marr përgjegjësitë e veta, gjithashtu do të fillojë puna e angazhimit të EULEX-it në vend", u shpreh qytetari tjeytër Mensur Vokrri.

"Natyrisht se nëse i skadon afati, jam i pajtimit që UNMIK-të largohet nga Kosova. Me ardhjen e misionit EULEX, UNMIK nuk ka çfarë të kërkoj në Kosovë", mendon qytetari Fatmir Bahtiri.

Ndryshe, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, në një intervistë dhënë ditë më parë Radios "Evropa e Lirë", kishte deklaruar se Kombet e Bashkuara do të jenë prezent në Kosovë pas përfundimit të fazës së tranzicionit. Duke folur për rikonfigurimin e UNMIK-ut, diplomati gjerman kishte thënë se zhvillimet e reja në OKB po i kontribuojnë qartësimit të përgjegjësive të UNMIK-ut dhe EULEX-it në të ardhmën: "Mendoj se forma e re e misionit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Por, është një çështje, e cila nuk është zgjidhur ende - përgjegjësitë e Kombeve të Bashkuara mbi sundimin e ligjit dhe si do të ndërlidhen ato me atë çfarë do të bëjë misioni EULEX", ishte shprehur Ruecker.
Shtuar më 26/05/2008, ora 04:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori