Kosovë, u mbajt ceremonia qendrore e faljes së Fitër Bajramit
Albeu.com
Kryetari i Bashkësisë islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava edhe në ceremoninë qendrore bëri thirrje për dashuri në mes njerëzve, tolerancë e mirëqenie të përgjithshme. Ai kërkoi nga të gjithë besimtarët që festa e Bajramit të Madh të shërbejë për forcimin e lidhjeve familjare e vëllazërore në mes tyre.Në ceremoninë e faljes së Bajramit të Madh në Prishtinë morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të shumtë.
Besimtarët e fesë myslimane në mbarë botën sot kremtojnë festën e Fiter Bajramit. Në Kosovë ceremonia qendrore e faljes së namazit të Bajramit të Madh u mbajt në xhaminë e madhe “Sulltan Mehmet Fatih" në Prishtinë. Profesor Efendi Bahri Simnica në ligjëratën e tij bëri thirrje që sa më shumë të shfrytëzohet koha për punë të mira dhe të mbara dhe me përkushtim ndaj krijuesit. Bahri sminica tha se Secili prej nesh, pavarësisht mëkateve që posedojmë, pavarësisht prej zhytjeve që i kemi gjatë jetës sonë, gjithherë dera tek Allahu Xh. Sh. është e hapur.
"Pendimi është shpresa dhe mundësia e vetme për çdo njeri që të kthehet te Krijuesi dhe ai na garanton se vërtet Allahu Xh. Sh. është mëshirues është ai që fal dhe ai që shpërblen për ata të cilët kthehen”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava edhe me këtë rast i ftoi të gjithë besimtarët që në zemrat dhe shpirtrat e tyre të shndritë besimi i sinqertë.
“Sot në këtë ditë të madhe festive më tepër se kurrë afrohen zemrat e njerëzve, harrohen urrejtjet, zhduken mospajtimet dhe kudo shtrihen duart e pajtimit me dashuri, sinqeritet dhe vëllazërim. Edhe vetë qëllimi i Bajramit është të mbjellë harenë, gëzimin në zemra, qetësinë trupore, përforcimin e dashurisë shoqërore , mëshirën e më të afërme dhe bashkëpunimin e ndërsjellët njerëzor”, tha myftiu. Tërnava.

Ai kërkoi gjithashtu nga besimtarët që me veprat e tyre të jenë bamirës, humanë dhe solidarë.

“Le të jetë pra festa e Bajramit dhe ajo e Ramazanit rast që t’i zgjatim duar tona, për të fshirë lotët e fëmijëve që kanë humbur shpresën, të atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, t’ua zgjasim dorën e ndihmës e të solidaritetit aq sa kemi mundësi, të gjitha familjeve që kanë nevojë”, tha ai.

Parimet e fesë islame nuk janë vështirë për t’u kuptuar, janë parime që madhërojnë shpirtrat e besimtarëve dhe çojnë drejt një rendi të drejtë shoqëror, tha po ashtu myftiu Ternava, duke shtuar se festat si kjo e Bajramit të Madhë, janë rast i mirë për të dëshmuar këto parime e vlerat e fesë islame dhe bëri thirrje për një unitet të përgjithshëm në Kosovës.

“Vëllezër të dashur, myslimanët lypset që festën e Bajramit dhe për sjelljen e muajit të Ramazanit ta marrin si ndodhi madhështore dhe rast shumë i mirë për forcimin e radhëve të tyre, si dhe mënjanimin e kundërthënieve e divergjencave, të cilat kohë pas kohe paraqiten tek ata. Duke iu përmbajtur fjalës së Allahut të Madhërishëm, mos u përçani në mes veti se do të dobësoheni e do të humbi fuqinë tuaj”, ishin fjalët e Tërnavës.

Në ceremoninë e faljes së Bajramit të Madh në xhaminë e madhe në Prishtinë morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike, e qytetarë të shumtë.

Festa e Fiter Bajramit është festë e madhe për besimtarët myslimanë kudo në botë.

Myslimanët që kanë agjeruar në muajin e bekuar të Ramazanit në këtë ditë feste kërkojnë falje nga Zoti dhe festa e Bajramit është një prej shpërblimeve për ta. (Hyrë Tejeci, rtk)
Shtuar më 13/10/2007, ora 02:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori