Kosovë, hiqen kamerat e vendosura në veri
Albeu.com
Iniciativa e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë për vendosjen e kamerave në veri të Kosovës u ndërpre pas reagimeve të zyrtarëve lokalë serbë.SHPK pohon se ky aksion do vazhdojë së shpejti, gjë të cilën udhëheqësit e Komunës së Zubin Potokut në Mitrovicë e quajnë të panevojshme.
Iniciativa e Shërbimit Policor të Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut për vendosjen e kamerave në pikat kufitare në veri të Mitrovicës, me qëllim të rritjes së kontrollit për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, është ndërprerë pas disa deklaratave të zyrtarëve komunalë serbë në Zubin Potok. Këto reagime kanë çuar në ndërprerjen e punimeve atje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, pohon se punët për vendosjen e kamerave janë ndërprerë, por, sipas tij, ato pritet të fillojnë sërish.

"Ditë më herët, policia ka filluar vendosjen e kamerave në pikën kufitare në Zubin Potok. Policia e UNMIK-ut ka pasur disa kontakte me zyrtarët e kuvendit komunal, megjithatë, për disa detaje teknike, janë ndërprerë punimet. Mirëpo, ato do të vazhdojnë prapë për vendosjen e këtyre kamerave", tha Beka. (rel/start/albeu)
Shtuar më 22/08/2008, ora 17:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori