Kosovë, balotazhi për zgjedhjet në komuna më 8 dhjetor
Albeu.com
Kryetari i KQZ-së, Mazlum Baraliu tha se zgjedhjet e balotazhit për kryetarë të komunave do të mbahen më 8 dhjetor, ku do të garojnë nga dy kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të votave në nivel komunal.Zyrtarët e partive politike të cilët do të marrin pjesë në balotazh për kryetarë të shumicës së komunave, thonë se përgjithësisht koha për të bërë fushatë nuk është e shkurtër, pasi sipas tyre, programet i kanë shpalosur në fushatën 21 ditëshe për zgjedhjet e 17 nëntorit dhe ato të njejtat do t’i shpalosin përsëri.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi tha se koha e balotazhit për PDK-në do të mjaftojë.

“PDK s’ka se çfarë të ndryshojë, ajo që është thënë, është thënë. Ne do të dalim të përgatitur edhe në këtë fushatë”, tha ai.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vehbi Miftari, ndërkaq tha se në përgjithësi koha është e shkurtër, por shprehu besimin që do të përgatiten që të marrim pjesë në balotazh. Në kryeqytet, në balotazh do të dalin kandidati i LDK-së, Isa Mustafa i cili ka marrë 35.9 për qind, kundër kandidatit të PDK-së, Fatmir Limaj i cili ka marrë 25 për qind të votave.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare, balotazhi nuk do të mbahet në komunat e Skenderajt, Drenasit, Shtërpcë dhe Zhubin Potok ku kandidatët e PDK-së kanë fituar bindshëm ndaj kandidatëve të subjekteve tjera politike, ndërsa në komunën e Novobërdës, për kryetar komune ka fituar kandidati i LDK-së. /INA/
Shtuar më 21/11/2007, ora 18:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori