Kosova të dëshmojë aftësinë për të qenë shtet
Albeu.com
Diplomati britanik Denis MacShane, tha se Kosova duhet të forcojë aftësitë e saj për t'u përfaqësuar në botë në aspektin diplomatike, ministrorë dhe ekonomik.Kosova duhet t'i dëshmojë Bashkësisë Ndërkombëtare se është bërë shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Për të arritur këtë, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale për t'u integruar sa më shpejtë në organizatat ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Kështu tha para studentëve të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë gjatë një ligjëratë me temën: "Ecuritë globale dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës" Delegati në Këshillin e Europës dhe në Asamblenë e NATO-s, Denis MacShane.

"Gjëja e parë që duhet bërë Kosova është t'i dëshmojë Bashkësisë Ndërkombëtare se është një shtet. Kjo nënkupton forcimin e afinitetit të saj për të qenë e përfaqësuar në botë në mënyrë diplomatike, ministrore si dhe ekonomike. Do të doja të shihja Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës, pastaj duhet filluar bisedimet me organizatat ekonomike ndërkombëtare siç janë Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Por, ambicia kryesore për Kosovën duhet të jetë vet anëtarësimi në Bashkimin Europian" deklaroi Denis MacShane.

MacShane u bëri thirrje politikanëve kosovar të garojnë ndërmjet vete në baza personale, por të përqendrohen në proceset e brendshme dhe të jashtme politike që janë në favor të zhvilimit të vendit.

"Është shumë e rëndësishme që liderët politik të Kosovës të mos garojnë ndërmjet vete duke thënë se unë jam kosovar më i mirë se ti. Qëllimi kryesor i politikbërjes në Kosovë duhet të jetë zhvillimi ekonomik, shoqëror, joshja e investitorëve, lobimi për njohje ndërkombëtare e jo çështja se kush është nacionalist më i fuqishëm se tjetri", shtoi MacShane.

Përfaqësuesi britanez në Këshilli të Europës dhe në Asamblenë e NATO-s, theksoi para së gjithash nevojën e intensifikimit të punës së ekzekutivit kosovar në një fazë të ndjeshme dhe akoma të paqartë politike në të cilën po kalon Kosova. As UNMIK, as KFOR dhe as EULEX nuk mund të krijojnë shtetin e Kosovës nëse për këtë nuk ka angazhim të mjaftueshëm nga pala vendore, tha ai. (Alsat)
Shtuar më 30/05/2008, ora 16:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori