Kosova pregatitet dhe shpreson për një pavarsi sa më të afërt
Albeu.com
Në kërkim të ditës së pavarësisë, drejtuesit politikë kosovarë, anëtarë të Ekipit të Unitetit, kanë përmendur si propozime disa data e afate, para nisjes për në Uashington, ku të hënën do të takojnë Sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice.Kryeministri Çeku deklaroi të premten se në Ekipin e Unitetit ka dalë me idenë që Kosova të shpallet e pavarur më 28 nëntor të këtij viti.
“Fillimisht kjo ka qenë një ide në kërkim të ideve të ndryshme për të dalë nga kjo situatë, përmes Këshillit të Sigurimit", tha Çeku, duke shtuar se data 28 nëntor, përputhet edhe me kohën e përfundimit të 120 ditëve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar.
"Ne kemi ofruar datën 28 nëntor, që përputhet me 120 ditët e kërkesës së faktorit ndërkombëtar, por është gjithashtu dhe një datë, të cilën ne e festojmë në historinë tonë dhe deshëm që ta bëjmë këtë festë edhe më madhështore", shtoi Çeku.
Ai përmendi gjithashtu se 120 ditët e kërkuara nga ndërkombëtarët i nevojiten Kosovës për të përmbyllur disa projekte, si Kushtetuta e Kosovës, miratimi i simboleve, përfundimi i Planit të Tranzicionit, përcaktimi i modaliteteve të ardhjes së Misionit Europian në Kosovë, largimit të UNMIK-ut, vazhdimit të mandatit të NATO-s, etj.
"Megjithatë, ky plan dhe kjo datë janë vetëm një ofertë dhe kërkesë që me këtë të pajtohen miqtë dhe aleatët tanë. Kurrsesi nuk bëhet fjalë për deklarim të njëanshëm. Është një ide dhe sa nuk është miratuar nga Grupi i Unitetit, mbetet një ide", tha Kryeministri i Kosovës.
Anëtari tjetër i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, kryetar i ORA-s, paraqiti para dy ditësh në Paris idenë e vet që Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë para Krishtlindjeve të këtij viti. Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm francez, Bernard Kouchner, Surroi paralajmëroi se propozimin do ta përsërisë edhe në takimin me Sekretaren amerikane të Shtetit, më 23 korrik.
“Kuvendi i Kosovës duhet ta përmbushë detyrimin e vet para popullit të Kosovës, para Krishtlindjeve duke shpallur pavarësinë”, tha Surroi.
Shtuar më 23/07/2007, ora 21:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori