Kosova po i humb 400 milion euro
Albeu.com
Sipas gazetes "Express", ekspertët ligjorë të KB-ve kanë ardhur në përfundim se rreth 80% e 400 milionë eurove të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, do t’u takojnë kompanive serbe.Mundësinë e një skenari të tillë e pranojnë edhe disa ekspertë vendorë.

Nëse Qeveria ka bërë plane se ku do t’i shpenzojë mjetet e grumbulluara nga Fondit i shitjes së ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, nuk do të bënte keq që t’i rishikonte edhe një herë mundësitë reale për t’i futur në dorë 400 milionë eurot e grumbulluara deri më tash.

Ekspertët ligjorë të AKM-së dhe ata të Kombeve të Bashkuara, ka mësuar gazeta, kanë konstatuar se rreth 80 për qind e 400 milionëve do të mund t’u takojnë atyre kompanive që kanë bërë ankesa rreth pronësisë së ndërmarrjeve tona shoqërore. Pjesa dërrmuese e kompanive që kanë pretendime në pronësinë e këtyre ndërmarrjeve, janë të Serbisë.

Sipas këtyre ekspertëve ligjorë, ekziston një moçal me ankesa në drejtim të UNMIK-ut dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga firmat dhe shteti i Serbisë.
“Firmat e Serbisë kanë sjellë një moçal me ankesa. Shumica e tyre kanë bazë juridike”, tregon burimi ndërkombëtar i gazetës, duke cituar ekspertët ligjorë.

Kosovarëve duket se kjo punë nuk u ka rënë në vesh ende për shkak se të gjitha qeveritë kanë llogaritur në këtë fond. Ekzistojnë edhe shumë projekte kapitale në këtë qeveri, të cilat syrin e kanë vetëm te ky fond.

Për këtë edhe ish-lideri i ORA-s, Veton Surroi dhe shumë politikanë të tjerë patën bërë bukur shumë plane, duke menduar në këtë fond. Ekspertë dhe drejtues të institucioneve vazhdojnë ende të planifikojnë projekte të mëdha kapitale, duke shfrytëzuar Fondin e privatizimit.

Eksperti ligjor, Robert Muharremi shpjegoi se koncepti ligjor është i modeluar në këtë mënyrë nga UNMIK-u që një shumë e madhe e parave të privatizimit t`u shkojë këtyre firmave, të cilat pretendojnë se janë të tyret. Edhe Muharremi beson se këto para do t`i marrin firmat e Serbisë në saje të titullarëve, por ai shpreson se Qeveria do të ketë përfaqësues të zotë rreth kësaj çështjeje, të cilët do të ballafaqoheshin me këto fakte dhe do ta argumentonin të kundërtën.

“Ndërmarrjet kur shiten, duhet që secilit që është kreditor në ato ndërmarrje, t`i kompensohet ajo pjesë dhe në këtë rast, firmat mund të marrin një pjesë të madhe të fondit nëse ne nuk paraqesim dëshmi që e kundërshton këtë”, tha Muharremi. Ai tha se Qeveria është dashur ta dijë këtë dhe të tregojë të vërtetën se si është problemi dhe jo ta fshehë atë.

Ndërmarrjeve të privatizuara u regjistrohen të gjitha asetet në mënyrë të veçantë dhe kjo ka krijuar gjithashtu probleme për të cilat në një ndërmarrje kanë dalë shumë aksionarë me asete të ndryshme brenda saj.

Edhe ekonomisti Shpend Ahmeti tha se kjo punë është rregulluar qysh nga fillimi prej UNMIK-ut. Sipas tij, një pjesë e madhe e këtij fondi do t`i shkojë Serbisë dhe firmave të saj. Ai tregoi se gjatë procesit të privatizimit të një ndërmarrjeje, çdokush mund të bëjë ankesë dhe të paraqesë fakte.

E këtë, tregon ai, e kanë shfrytëzuar maksimalisht firmat e Serbisë. Ahmeti mendon se në rast të mosdhënies së këtyre kompensimeve, Serbia edhe mund ta padisë Kosovën.

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit prej fillimit të procesit të privatizimit ka kaluar nëpër mbi 30 valë të shitjes, gjatë të cilave ka tenderuar afër 310 ndërmarrje dhe ka nënshkruar mbi 500 kontrata. Para disa ditësh, vetë ministri Ahmet Shala tha se 380 milionë euro ndodhen në Fondin e Mirëbesimit, prej të cilave 20 për qind e tyre shkojnë te punëtorët, ndërsa të tjerat do të planifikohen tjetërkah.

Ai tha se rezultatet e hulumtimit tregojnë se në 2 vitet e fundit, totali i punëve të reja të qëndrueshme të krijuara është rritur në 23 për qind, ndërsa investimet janë mbi 45 milionë euro.
Shtuar më 18/08/2008, ora 20:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori