Kosova përgatit ligjin për "spiunët"
Albeu.com
Kosova po përgatit ligjin për "spiunët", për të vënë mbi baza shtetërore atë që deri më tani ka funksionuar mbi baza partiake. Projektligji për shërbimin e fshehtë të Kosovës, i cili do të quhet Agjencia Kosovare e Inteligjencës, do të dalë për miratim të hënën në Kuvend."AKI-ja do të jetë struktura e vetme e shërbimit të fshehtë-sigurisë. Asnjë strukturë tjetër civile e shërbimit të fshehtë-sigurisë nuk do të lejohet të themelohet apo të lejohet të veprojë në Kosovë", thuhet në projektligj. Fushat e veprimit të këtij sigurimi do të jenë: mbledhja e informacionit në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës. Kërcënim do të konsiderohet rreziku ndaj integritetit territorial, integritetit të institucioneve, rendit kushtetues, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe kërcënimit ndaj sigurisë globale në dëm të Kosovës ku përfshihet terrorizmi, nxitja dhe ndihma ose përkrahja e terrorizmit, spiunazhi në dëm të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, sabotazhi drejtuar kundër infrastrukturës së vendit, krimi i organizuar kundër Kosovës, nxitja e pakënaqësisë të personelit të sigurisë, trafikimi i substancave ilegale, armëve dhe qenieve njerëzore, prodhimi ilegal dhe transporti i armëve të shkatërrimit në masë, ose të komponentëve të tyre, aktet e dhunës së organizuar apo të frikësimit kundër grupeve etnike apo fetare në Kosovë, etj.

Ligji parashikon edhe metodat e mbledhjes së informacionit që do të jenë: përgjimi mobil dhe statik, ai telefonik dhe njerëzor nëpërmjet personelit të fshehtë për mbledhjen e informacioneve, agjentët e fshehtë, mbledhjen e të dhënave konfidenciale nga bankat, portet etj. Gjithçka e dyshimtë do të jetë në duart e spiunëve të shtetit të Kosovës. Shërbimi Inteligjent nuk do të ketë fuqi ekzekutive, si arrestim personash, apo ndalim të tyre. Po kështu, as nuk do të mund të nisë procedura penale apo të detyrojë persona apo kompani të bashkëpunojnë me ta. Kjo mund të bëhet vetëm mbi baza vullnetare. Numri i spiunëve fillimisht do të jetë 200, por në të ardhmen do të nevojiten më shumë pjesëtarë. Përveç atyre që angazhohen në punë brenda vendit, në secilën ambasadë të Kosovës në botë, siç është praktika ndërkombëtare, do të nevojitet të dërgohen së paku dy deri në tre pjesëtarë të Agjencisë.

Puna e tyre do të jetë rreptësisht e monitoruar. Çdo sjellje, çdo veprim, do të jetë i mbikëqyrur, kështu që askush nuk do të mund të ushtrojë "pushtet" në emër të asaj se është punonjës i AKI-t. Madje do ta kenë të ndaluar të prezantohen në emër të institucionit, përveçse për nevoja zyrtare dhe në raste e rrethana të caktuara.

Tre funksionet e para, drejtori i AKI-t, zëvendësdrejtori dhe inspektori i përgjithshëm, i emërojnë së bashku Presidenti dhe Kryeministri. Kjo gjë është kundër praktikave të njohura botërore, pasi normalisht njëri propozon dhe tjetri emëron. Por kjo gjë është bërë për shkak të marrëveshjes politike të bërë para zgjedhjeve mes LDK-së dhe PDK-së. AKI do t‘i përgjigjet Kryeministrit në bazë të ligjit, por do të informojë edhe Presidentin dhe do të shërbejë si këshilltar i tyre. Drejtori i AKI-t duhet të jetë shtetas i Kosovës të paktën për dhjetë vite para emërimit.

Për secilin post sipas burimeve të gazetës, partitë i kanë dërguar së paku nga tre emra. E sigurt deri më tani është se "kryespiuni" apo drejtori i AKI-t do të jetë nga radhët e PDK-së, zëvendësi nga LDK-ja dhe inspektori i përgjithshëm nga AAK-ja, partia e Ramush Haradinajt. Të tria këto poste janë pesëvjeçare me mundësinë e rizgjedhjes për mandatin e dytë. Për herë të parë ligji parashikon bashkëpunim me shtetet e rajonit. E po kështu, për herë të parë, institucioni i spiunëve do t‘i nënshtrohet mbikëqyrjes parlamentare. Deri tani, partitë më të mëdha si PDK-ja dhe LDK-ja, por dhe partitë e vogla i kanë pasur shërbimet e tyre sekrete jo të ligjshme. SHIK-u i PDK-së p.sh., ka pasur bashkëpunim me SHISH-un e Shqipërisë, e po kështu me amerikanët dhe shërbime të tjera. Kanë pasur edhe trajnime për ta, gjithmonë në nivel jozyrtar. Por e ardhmja e shërbimeve të partive, nëse ligji do të respektohet, do të jetë shuarja. Ato do të shkatërrohen, zyrat e tyre do të mbyllen dhe do të shpallen të paligjshme. Ligji nuk parashikon shkrirje të shërbimeve. (Shqip)
Shtuar më 19/05/2008, ora 00:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori