Kosova pa vendim rreth zgjedhjeve serbe
Albeu.com
Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë vendim të prerë se si do të sillet në rastin e paralajmërimit të Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në dy komuna të Kosovës, më 16 gusht. Beogradi ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për ...... institucionet paralele serbe, për Komunën e Prishtinës (në Graçanicë) dhe atë të Pejës (në Gorazhdec).

Qeveria e Kosovës thotë se ende nuk ka vendim se si do të sillet ndaj këtyre paralajmërimeve. Zëdhënësi Memli Krasniqi tha se Qeveria do të marrë një vendim adekuat rreth këtyre zgjedhjeve të paralajmëruara në momentin më të përshtatshëm.

Ndërkohë, partitë politike konsiderojnë se Beogradi nuk ka kurrfarë mandati që të organizojë zgjedhje të lira në territorin e Kosovës, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se askush nuk ka autoritet që të ndërhyjë në Kosovë dhe të menaxhojë apo organizojë procese zgjedhore. Prandaj, sipas tij, Qeveria dhe institucionet e pranisë ndërkombëtare duhet të reagojnë dhe të mos lejojnë mbajtjen e tyre.

Një qëndrim edhe më të ashpër kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë e mban Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se lejimi eventual i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve nënkupton lejim të shkeljes në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, mungesa e qëndrimit të qartë të Qeverisë së Kosovës mendohet se mund të jetë e ndërlidhur me konsultimet shtesë që u duhen autoriteteve vendase me ato ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Serbia edhe në të kaluarën ka organizuar zgjedhje në Kosovë, përkundër kundërshtimeve të autoriteteve kosovare, përderisa prania ndërkombëtare në vazhdimësi është deklaruar se nuk i organizon, por as nuk i pengon zgjedhjet e tilla. (rel/telegrafi/albeu)
Shtuar më 01/08/2009, ora 03:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori