Kosova nuk e jep veriun per Presheven
Albeu.com
Prishtina zyrtare kundërshton dhe e sheh me rrezik hapjen e çështjes së kufijve dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Reagimet e zyrtarëve të lartë kosovarë pasuan paralajmërimet ...... ndërkombëtare, sipas të cilëve, Beogradi u ka kërkuar diplomatëve perëndimorë që gjatë bisedimeve Kosovë – Serbi pjesë e agjendës së bisedimeve të jetë edhe shkëmbimi i veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Kosova nuk do të diskutojë asnjëherë dhe me askënd idenë e shkëmbimit territorial, thotë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Ai rikujton se tërësia territoriale e Kosovës është e njohur ndërkombëtarisht, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me Serbinë për çështjet teknike.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Integritetit territorial i shtetit tonë është i njohur ndërkombëtarisht, është i paprekshëm”, tha Thaçi gjatë një ligjërate të mbajtur në UBT.

“Mund të ketë takime në të ardhmen, pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të diskutuar, si me të gjitha vendet tjera të rajonit, çështje praktike. Por, sa i përket statusit politik dhe integritetit territorial, ato çështje janë zgjidhur njëherë e përgjithmonë”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve do të thoshte hapje e “Kutisë së Pandorës” që do të dihej se ku nis, por jo edhe ku përfundon.

Gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka thënë se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur përmes institucioneve të saj dhe se aktualisht çështja e lëvizjes së kufirit nuk mund të jetë temë diskutimi.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova fillimisht duhet të vendosë marrëdhënie normale me Serbinë me këta kufij që ka.
“Kosova i ka kufijtë e vet shtetërorë, ata kufij janë më të vjetër sesa që është vetë Kosova shtet dhe kërkojmë që të respektohet vullneti i shprehur i institucioneve të Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

“Njohja ndërkombëtare që është bërë mbi këta kufij dhe ndoshta në një të ardhme në një përmirësim të marrëdhënieve me Serbinë, mund të bisedohet për çështje të tilla, por konsiderojmë se në këtë kohë hapja e kufijve, ndryshimi i tyre, është një lloj hapjeje e ‘Kutisë së Pandorës’, e cila mund të dihet ku fillon, por nuk dihet ku përfundon”, theksoi ai.

Reagimeve ndaj idesë për shkëmbim territoresh u është bashkuar edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. “Zërat që po dëgjohen për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë zëra të kahershëm, por që nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin”, ka deklaruar ai. Sipas tij, Kosova nuk është e interesuar që të hyjë në pazare të tilla.

Ndryshe, sipas burimeve të “Zërit”, Beogradi zyrtar pritet që gjatë bisedimeve me autoritetet e Kosovës, të cilat pritet të fillojnë këtë vjeshtë, do të lansojë idenë e shkëmbimit të territoreve. Sipas këtyre burimeve, Beogradi do të kërkojë që tema kyçe e dialogut të jetë kufiri i ri mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ide konsiston në atë që veriu i Kosovës do të duhej t’i bashkohej Serbisë, ndërsa një pjesë e Luginës së Preshevës, apo më konkretisht vetë komuna e Preshevës, duke mos iu afruar shumë bazës së madhe ushtarake “Jug” të Ushtrisë së Serbisë, e cila është hapur kohë më parë, do të duhej t’i bashkëngjitej Kosovës.

Përveç kundërshtimeve nga Prishtina zyrtare, aktualisht nuk ka shenja të qarta që në Perëndim ka mirëkuptim për këtë ide.

Prezantimi i mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pritet t’u hapë rrugën bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. (zeri)
Shtuar më 01/07/2010, ora 10:46
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori