Kosova ngre zerin: HARRONE, NUK E PRANOJME
Pëlqej
Albeu.com
Lideret e Kosoves jane shprehur qarte: Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, te na mbeshtesin.Dy krerët më të lartë të Republikës së Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar së bashku edhe një herq qëndrimin e Prishtinës zyrtare kundër planit gjashtë pikësh të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, ata janë shprehur se “Përgjigjja jonë ndaj raportit të sekretarit të përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Sejdiu dhe Thaçi u shprehën se janë vënë në dijeni sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar raportin e tij për Kosovën dhe se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet për ta shqyrtuar këtë raport. “ Raporti mbulon, mes tjerash, të ashtuquajturin plan ‘gjashtë pikësh’ të Kombeve të Bashkuara. Në deklaratën e 18 nëntorit, institucionet e Republikës së Kosovës e kanë bërë të qartë pozicionin e vet për gjashtë pikat dhe refuzimin e këtij dokumenti në tërësi. Të njejtin qëndrim refuzues e kemi edhe sot”,thanë ata.

Dy krerët e shtetit shprehën besimin se vendet aleate që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës do të ndërhyjnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Kemi besim të plotë në miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara, në Bashkimin Europian dhe NATO, ashtu siç kemi thënë përherë. Jemi shumë të interesuar të shohim vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën mbi bazë të parimeve të paraqitura në Deklaratën tonë të përbashkët të 18 nëntorit, si garanci për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kërkojmë nga Bashkimi Europian të nisë vendosjen e EULEX-it posa të jetë e mundshme nga aspekti operacional”, vijuan ata.

Sipas Sejdiut, ky është një moment në të cilin nevojitet një qasje e qetë dhe e vendosur. “Çfarëdo përgjigje tjetër vetëm sa do t’i kënaqte ata të cilët dëshirojnë të provokojnë Kosovën dhe të na shohin duke vepruar në mënyrë të padinjitetshme. Nuk do t’ua japim atë kënaqësi. Do të vazhdojmë të punojmë me miqtë dhe partnerët tanë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën. Kërkojmë përkrahje nga i gjithë spektri politik dhe shoqëria civile në Kosovë gjersa shkojmë para me kryerjen e detyrës sonë” përfunduan në deklaratën e përbashkët presidenti sejdiu dhe kryeministri Thaçi.
Shtuar më 26/11/2008, ora 22:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori